Real Madrid kërkon të ndryshojë stadium për sfidat e mbetura të sezonit

Drejtuesit e Real Madridit po shqyrtojnë mundësinë që të ndryshojnë stadium për të luajtur ndeshjet e mbetura të La Ligas spanjolle. Lajmin e jep portali “Okdiardio”. Ideja e klubit merengues është që të luajë në stadiumin “Alfredo Di Stefano” që ndodhet në qendrën stërvitore në Valdebebas ndeshjet e mbetura të këtij sezoni, pikërisht aty ku luan Real Madrid Castilla, meqenëse do të luhen pa tifozë.

Nëse kjo kërkesë e Realit do të pranohet nga liga spanjolle e futbollit atëherë punimet për rikonstruksionin e stadiumit Santiago Bernabeu do të vijojnë me ritëm të lartë deri në muajin shtator sepse me tifozë pritet të luhet vetëm në fillim të sezonit të ri futbollistik 2020-2021.

Ky është një lajm shumë pozitiv për klubin e Realit që po mendon të ndërtojë një nga impiantet më të bukur në botë, teksa çatia e stadiumit do të jetë me hapje të komanduar. /Koha Jone/

SHKARKO APP