Real Madrid nis kontaktet me strategun Unay Emery për sezonin e ardhshëm
Unai Emery mund të jetë pranë një hapi të madh në karrierë. Trajneri spanjoll 54-vjeçar ka përfunduar në listën e ngushtë të Real Madridit për verën e ardhshme dhe, sipas informacioneve të raportuara nga Sky Sport DE, kontaktet e para eksploruese mes palëve kanë nisur tashmë.
Kandidatura e Emery-t po merr gjithnjë e më shumë peshë falë punës së shkëlqyer të bërë në vitet e fundit, veçanërisht te Aston Villa, ku ai ka kontratë të vlefshme deri në vitin 2029.
Në Angli, trajneri bask ka ndërtuar një skuadër të fortë, konkurruese dhe ambicioze, e cila është stabilizuar në zonat e sipërme të tabelës dhe sezonin e kaluar siguroi edhe kualifikimin në Champions League. Rritja e vazhdueshme e projektit të Villa-s dhe lufta për objektiva madhorë nuk kanë kaluar pa u vënë re nga drejtuesit në Madrid.
Për Emery-n, një transferim i mundshëm te Reali do të nënkuptonte rikthim në Spanjë, pas eksperiencave të suksesshme me Valencian, Sevillan dhe Villarrealin, klube ku ai ka lënë gjurmë të forta, sidomos në arenën europiane.
Një nga “kartat” më të forta të trajnerit mbetet performanca e jashtëzakonshme në kompeticionet kontinentale: katër trofe të Europa League, një rekord që e ka shndërruar në një nga specialistët më të mëdhenj të turneve europiane, shpesh duke arritur rezultate mbi pritshmëritë në raport me buxhetin dhe përbërjen e skuadrave.
Edhe pas periudhës te PSG, ku fitoi gjithçka në Francë por i mungoi suksesi në Champions, Emery ka vazhduar të konfirmojë vlerat e tij me mesatare të larta pikësh, menaxhim të fortë të grupit dhe identitet të qartë taktik.
KOHA JONË SONDAZH

