Reali bën detyrën ndaj Sevillas, Mbappe barazon rekordin e Ronaldos
Real Madrid ka marrë një fitore të rëndësishme 2-0 ndaj Sevillas në “Santiago Bernabeu”, në ndeshjen e vlefshme për javën e 17-të të La Liga-s. Edhe pse madrilenët dolën me tre pikë, suksesi nuk ishte i lehtë, pasi Sevilla e nisi ndeshjen më mirë, duke dominuar minutat e para dhe duke krijuar disa raste të rrezikshme.
Zhbllokimi i rezultatit erdhi në minutën e 38-të, kur Rodrygo ekzekutoi një goditje dënimi dhe Jude Bellingham, me një kërcim perfekt në zonë, dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë avantazhin Realit para pushimit.
Në pjesën e dytë, ndeshja mori drejtim të qartë pas daljes me karton të kuq të Marcao-s në minutën e 68-të, pas kartonit të dytë të verdhë. Reali shfrytëzoi epërsinë numerike dhe vulosi fitoren në minutën e 86-të me Kylian Mbappe, i saktë nga pika e penalltisë.
Me këtë gol, Mbappe barazon rekordin historik të Cristiano Ronaldos me 59 gola në një vit kalendarik. Real Madrid renditet i dyti, një pikë pas Barcelonës.
KOHA JONË SONDAZH

