Reali fiton betejën e parë ndaj PSG-së, Ronaldo dopietë (VIDEO)
Reali i Madridit është i pandalshëm në Champions. Madrilenët vuajnë shumë ndaj PSG, por arrijnë që të marrin një rezultat 3-1 në duelin e parë në “Santiago Bernanbeo” dhe falë një super Kristiano Ronaldo. Zinedine Zidane zgjedh që të luajë nga minuta e parë me Iskon dhe jo me Bejl, ndërkohë që në krahun tjetër strategu Unai Emeri nuk ndryshon zgjedhje duke hedhur në fushë 11-shen më të mirë. Në minutën e 25-të, Marselo jep një pasim të bukur për Ronaldon, i cili provon me të djathtën, por goditja e tij është qendrore ndalet në fytyrën e Areolës. Nejmar kundërpërgjigjet me një goditje në hyrje të zonës, por nuk shqetëson shumë portierin Navas, Në minutën e 32-të, Serxhi Ramos provon me një goditje me kokë, por portieri i PSG neutralizon topin.
Një minutë më pas PSG del me një kundërsulm të shpejt, teksa Nejmar lë një top të bukur pas për Rabiot, i cili e ka të thjeshtë për të shënuar golin e avantazhit. 5 minuta më pas Kavani ka shansin e artë për të shënuar golin e dytë për skuadrën e tij, por goditja e tij ndalet nga mbrojtësit e Realit.
Një minutë nga fundi i pjesës së parë, Xhovani Lo Çelso shkakton një faull brenda zonës ndaj Toni Kros, teksa arbitri Roki akordon penallti. Nga pika e bardhë shkon Ronaldo, i cili nuk gabon duke barazuar rezultatin. Fraksioni i dytë i ndeshjes dominohet nga skuadra franceze. Në minutën e 49-të, Mbape ka një mundësi shumë të mirë shënimi, por goditja e tij ndalet nga Navas. Disa minuta më pas Rabiot ka një tjetër mundësi shënimi, por goditja e tij ndalet nga Ramos, i cili në fakt e ndali me dorë.
Në minutën e 73-të pas një dalje të shpejt Berxhixha jep një pasim të bukur në zonë, që nuk devijohet në fund nga Dani Alves. Në minutën e 80-të, Bejl tregon menjëherë vlerat e tij me një aksion të shpejtë, por Areola e ndal sërish. 3 minuta më pas Asensio jep një top në zonë që fillimisht pritet nga portieri dhe më pas përfundon në këmbët e Ronaldos, i cili e ka të thjeshtë për ta shtyrë në rrjetë. Por nuk mbaron këtu, në minutën e 86-të, Marselo shënon golin e tretë për “galaktikët”. Francezët duhet të fitojnë 2-0 ndeshjen e kthimit për t’u kualifikuar. /Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

