Reali fiton me vuajtje ndaj Alaves dhe “shpëton” trajnerin Alonso
Real Madrid ka reaguar në momentin e duhur, duke u rikthyer te fitorja në La Liga pas triumfit 1-2 në transfertë ndaj Alaves. Një sukses i rëndësishëm për “Los Blancos”, që i mban në garë për titull dhe largon përkohësisht retë e zeza mbi stolin madrilen.
Skuadra e kryeqytetit e mbylli pjesën e parë në avantazh falë Kylian Mbappé. Sulmuesi francez realizoi një gol spektakolar në minutën e 24-t, duke përfituar nga asistimi i Jude Bellingham.
Në pjesën e dytë, Alaves reagoi dhe barazoi shifrat në minutën e 67-të. Carlos Vicente u tregua i saktë pas një topi të gjatë të Antonio Blanco dhe mposhti Courtois, me VAR-in që konfirmoi rregullsinë e golit.
Megjithatë, Real Madrid nuk u lëkund dhe rifitoi avantazhin vetëm nëntë minuta më vonë. Rodrygo finalizoi një aksion të bukur të ndërtuar në bashkëpunim me Vinicius Junior, duke vendosur golin që vulosi fitoren 1-2.
Pas këtij suksesi, Real Madrid mban vendin e dytë në renditje me 39 pikë, katër më pak se Barcelona kryesuese, ndërsa Alaves pozicionohet në vendin e 12-të.
KOHA JONË SONDAZH

