Reali kalon pa probleme, City përmbys Dortmundin dhe sfidon PSG-ën në gjysmëfinale (VIDEO)

Real Madrid dhe Manchester City janë dy skuadrat e radhës që sigurojnë një biletë për në gjysmëfinalen e këtij edicioni në Champions League. “Los Blancos” administroi mjaft mirë fitoren 3-1 të ndeshjes së parë, duke barazuar pa gola në duelin e kthimit. Në “Anfield Road” emocionet ishin të mëdha, teksa Salah shpërdoroi një mundësi mjaft të mirë që në minutën e 3-të.

8 minuta më pas James Milner u ndal nga një pritje fantastike e Courtois. Në fundin e fraksionit të parë ishin sërish Salah dhe Wijnaldum, që nuk konkretizuan mundësitë për shënim. Në krahun tjetër Benzema do të ndalej nga shtylla pas një devijimi. Edhe në fraksionin e dytë asgjë nuk ndryshoi me Firminon dhe Vinicius Junior që krijuan dy rastet më të pastra.

Manchester City ndërkohë mori një tjetër fitore 2-1 me përmbysje kundër Dortmundit, edhe në Gjermani. Verdhezinjtë kaluan në avantazh në minutën e 15-të me talentin 17-vjeçar Bellingham, por City do të kundërpërgjigjej në fraksionin e dytë. Mahrez nga pika e bardhe dhe Phil Foden përmbysën gjithçka, duke siguruar kualifikimin. Në gjysmëfinale City do të sfidojë PSG, ndërkohë që në krahun tjetër Reali do të sfidojë Chelsea-n. /R.Lika-Koha Jone/


SHKARKO APP