Reali kontrollon merkaton e verës, ja yjet që synon dhe ka “në dorë”

Real Madrid është një nga skuadrat që pritet ta përballojë më mirë krizën nga koronavirusi. “Los Blancos” duken të fuqishëm ekonomikisht dhe nuk pritet të kenë aspak probleme as sa i përket merkatos së transferimeve. Blerjet do të jenë shumë më të pakta në vlerë financiare, teksa skuadra madrilene do të shfrytëzojë faktin që ka shumë futbollistë nën kontratë.

Në verë numri i futbollistëve do të shkojë në 36, duke përfshirë edhe ata që do të kthehen nga huazimet. Real Madrid do të kërkojë që të negociojë 15 shitje, huazime apo shkëmbime në merkaton e ardhshme. James Rodriguez, Gareth Bale, Brahim Diaz dhe Mariano Diaz janë të parët që do të largohet, pasi kanë mbetur jashtë planeve të Zinedine Zidane.

Futbollistët që janë në huazim: Achraf Hakimi, Dani Ceballos, Sergio Reguilon, Oscar Rodriguez, Jesus Vallejo, Borja Mayoral dhe Takefusa Kubo do rikthehen dhe me shumë mundësi do të largohen sërish. Ceballos dhe Reeguilon janë në listën e dëshirave të skuadrave të mëdha. Marcelo ndërkohë duket se do i japë fund ciklit në “Santiago Berganeo”, pas shkëlqimit të Ferland Mendy.

Afrimi më i ri, Reiner Jeus, do të huazohet në një tjetër ekip për të fituar më shumë eksperiencë. Synimet e mëdha të ekipit madrilen gjatë verës janë Erling Haaland, Eduart Camavinga dhe Paul Pogba, po më parë duhen shitur një pjesë e mirë e yjeve që për momentin duket se nuk janë pjesë thelbësore në formacionin e trajnerit francez.

Haaland kushton thuajse 100 milionë euro, teksa Dortmundi ka kërkuar në shkëmbim edhe kartonin e mbrojtësit Achraf Hakimi, që mbaron huazimin te verdhezinjtë në qershor. Për mbappe ndërkohë duhet pritur edhe një tjetër vit, pasi vështirë se një operacion me vlerë mbi 200 milionë euro mund të ndodhë në një periudhë të tillë edhe pse “Los Blancos” janë një ekip me bilance të shëndosha financiare. /R.Lika-Koha Jone/

 

SHKARKO APP