Refik Halili drekë ekipit: Fitoni ndaj Kukësit dhe Partizanit, Tirana rikthehet kampione
Trajneri i Tiranës beson se skuadra e tij do të qëndrojë në garë për trofeun më të rëndësishëm deri në fund të sezonit pavarësisht humbjeve të fundit me Laçin dhe me Skënderbeun, apo edhe rezultateve të ndeshjeve të ardhshme, me Kukësin e Partizanin, dy rivalë të tjerë në garë për titullin kampion. – “Nëse nuk do të kisha besim te titulli kampion nuk do të isha këtu duke dhënë intervistë para ndeshjes,” – thekson Magani, i cili duket i vendosur se flet për një objektiv dhe nuk ka dëshirë të komentojë për gjë tjetër. Gugash Magani, megjithatë e ka të qartë se ndaj Kukësit dhe në derbi ndaj Partizanit, nëse Tirana e drejtuar prej tij nuk fiton, titulli kampion do të jetë “mision i pamundur”. Aktualisht Tirana është pesë pikë larg Kukësit, që kryeson garën, por do të luajë edhe ndeshjen e prapambetur derbi ndaj Partizanit. Humbjet direkte me rivalët do t’i shkëpusin bardehblutë nga klasifikimi, kur mbeten edhe 10 javë deri në mbyllje të garës. Trajneri peqinas i bardhebluve, Magani beson se skuadra e tij do të qëndrojë në garë për të fituar trofeun më të rëndësishëm, deri në fund të sezonit dhe kuptohet se dy humbje të tjera radhazi as nuk mund të jenë pjesë e llogarive të tij . Në prag të ndeshjes kundër kryesuesve të Kukësit, tekniku bardheblu e pranon se dy humbjet e fundit e kanë rritur presionin në kampin e skuadrës së tij. – “Presioni në këto momente është shumë i madh, sepse vijmë pas dy humbjeve dhe duhet patjetër të marrim një rezultat pozitiv ndaj Kukësit.” Dreka e organizuar para ndeshjes nga presidenti Refik Halili me stafin dhe lojtarët është një tjetër pikë ku u ndal trajneri peqinas, i cili vlerëson drejtuesin më të lartë të klubit për profesionalizmin e treguar. – “Nuk kemi pasur asnjëherë presion nga presidenti Halili. Ai është treguar profesionist me ne dhe ka qenë gjatë gjithë kohës i qetë.” Për trajnerin Magani, skuadra nuk po vuan lodhjen fizike dhe këto zëra vijnë vetëm nëse skuadra nuk gjen rrugën e rrjetës. – “Nëse shënojmë nuk kemi rënie fizike, në të kundërt fillojnë aludimet se nuk jemi në gjendje të mirë fizike,” – theksoi trajneri Gugash Magani. Tiranës i mungon titulli kampion prej gjashtë sezonesh, diçka e pazakontë në kampin bardheblu gjatë dy dekadave të fundit. Kjo është arsyeja që Tirana këtë vit, teksa ka një skuadër cilësore dhe të denjë për kurorën, kërkon medoemos të shmangë humbjet me Kukësin e Partizanin, që të niset drejt titullit të 25-të kampion. Refik Halili, mësohet t’iu jetë drejtuar lojtarëve gjatë drekës para ndeshjes me Kukësin, se “ju jeni skuadra më e mirë e kampionatit dhe uroj që fati të mos ju dënojë të fitoni ndeshjet e radhës, sepse më tej na pret rruga drejt titullit.” E kuptueshme se dy fitore ndaj Kukësit dhe Partizanit, janë i tërë sezoni i Tiranës.
Kategoria Superiore
Java e 26-të – Të djelën
Elbasani- Laçi 14:00
Apolonia-Teuta 14:00
Vllaznia-Partizani 17:00
Tirana- Kukësi 17:00
(Niko Dovana)
Të hënën
Flamurtari –Skënderbeu 17:00
KOHA JONË SONDAZH

