Reja: Broja talent i madh, por duhet të ndryshojë sjellje!

Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Edy Reja u shpreh pas fitores ndaj Hungarisë se skuadra duhet të jetë më e kthjellët në fushë, për të shfrytëzuar rastet që i krijohen. Edhe pse shënoi sërish italiani kishte kritika për sulmuesi Broja.

“Ka gjëra që nuk shkuan mirë, pasi bëmë disa gabime. Sidomos në pjesën e parë kishim raste për të finalizuar. Ekipi duhet të ketë kthjelltësinë e duhur në fushë. Sigurisht që meritë ka edhe Hungaria dhe për këtë arsye ka dyfish meritë Shqipëria, që mundi një skuadër të fortë. Djemtë luajtën shumë mirë, luftuan për çdo top, por duhet përmirësim në aspektin teknik.

Bajrami – Duhet të përshtatet me grupin, kërkon pak kohë. Më duhet të luajë me dy mesfushorë që vrapojnë edhe për të, nuk është e lehtë. Ka cilësi të mira teknike dhe do të përpiqemi t’i shfrytëzojmë në maksimum këto cilësi.

Broja – Është talent i madh, duhet të jetë gjithmonë gati, duhet të ndryshojë pak sjelljen, duhet të piqet. Shpresoj të luajë me klubin e tij në Angli, do të ishte shumë mirë, mbi të gjitha për të. Atij i duhet eksperienca dhe do të vinte në kombëtare me më shumë motivim.

Uzuni – Nuk ka titullarë dhe nuk ka rezerva. Kur luan 3 ndeshje në 7 ditë, të gjithë duhet të jenë në formë. Uzuni është lojtar shumë i mirë, ka qenë përcaktues sot. Unë kam nevojë për lojtarë që sakrifikohen edhe kur nuk kanë topin”, deklaroi strategu italian.

SHKARKO APP