Reja: Kemi probleme me pasimin e fundit, ja çfarë duhet të kemi kujdes ndaj Izraelit
Trajneri i Kombëtares, Edy Reja ka folur në konferencën për shtyp në prag të duelit ndaj Izraelit, që do të luhet nesër në mbrëmje në “Air Albania”. Strategu italian konfirmoi se ekipi ka probleme në dhënien e pasimit të fundit dhe në finalizim. Në lidhje me aktivimin e mundshëm të Brojës apo Uzunit, ai la gjithçka të hapur.
“Ato ndeshje të mëparshme me Izraelin janë ndeshje të historive të tjera. Tani ata kanë lojtarë të tjerë dhe po jetojmë realitete të ndryshme. Ndaj nuk mund të marrim diçka nga e kaluara, edhe pse ekipi ka ndonjë lojtar si atëherë. Është një skuadër që vrapon shumë, lojtarët që ka janë ofensive dhe të shpejtë, edhe krahët e mbrojtjes marrin pjesë në aksione ofensive. Kjo mënyrë loje mund të lërë hapësira ku ne duhet të shfrytëzojmë, sidomos sa i përket fazës mbrojtëse. Të mos i lejojmë atyre që të krijojnë superioritet numerik dhe te nisemi me shpejtësi. Kjo është mënyra taktike që duhet të bëjmë mirë këtë ndeshje dhe të mundohemi ta fitojmë.
Ne po punojmë që të mundohemi të kryejmë sa më shumë aksione ofensive. Për shembull duke parë edhe një herë ndeshjen me Islandën, nuk kemi arritur asnjëherë kaq shumë në fundore, por për fat të keq finalizimi që është aspekti i konkretizimit të punës, nuk na del, në një mënyrë apo tjetër. Kemi probleme ne pasimin e fundit, e kemi diskutuar edhe me djemtë. Do të gjej zgjidhje të tjera si ndaj Islandës për të vënë në vështirësi Izraelin. Nga kjo pikëpamje kemi përgatitur mirë skuadrën për të shfrytëzuar situatat.
Pastaj në fushë shihet kush e meriton më shumë a më pak, është një diskutim që mbetet i hapur, se nëse e merr në konsideratë asnjë skuadër nuk ka asgjë për të humbur. Si Islanda, Izraeli e Shqipëri, rënie nuk ka, ndaj tension nga ana jonë nuk ka. Ndaj do të luajmë të hapur dhe do ta bëjnë edhe të tjerët. Ideja jonë është të mos humbim ndeshjen, dhe të mos vuajmë se ata shtyjnë përpara me shumë lojtarë. Kjo taktikë mund të të vërë në vështirësi, sepse janë të shpejtë, të bëjnë presion në çdo cep të fushës. Kur gjen këto skuadra mund të kesh vështirësi. Por edhe ne kemi forcat tona, ne do të punojmë që t’i vëmë në vështirësi duke marrë në konsideratë vlerat e kësaj skuadre se ka vlera të rëndësishme.
Uzuni dhe Broja? Nuk e kam zakon të them se kush luan para ndeshjes. Janë mirë të dy. Uzuni u shërua dhe kur u kthyem tregoi se është në gjendje 100%. E njëjta për Brojën. Kush do luajë, do e ruaj për nesër, kur t’u them djemve. Shpresojmë të jenë mirë, nëse aktivizohen, shpresojmë të jenë në formë që të na zgjidhin problemet në fazën ofensive”, deklaroi strategu italian.