Reja: Krenar që jam pjesë e kësaj skuadre, djemtë po japin shpirtin në fushë!

Trajneri Edoardo Reja është shprehur shumë i kënaqur pas fitores 2-0 ndaj Bjellorusisë. Strategu italian vlerësoi punën e bërë nga mbrojtja, ndërkohë që sipas tij sulmi pati oshilacione.

“Objektivi jonë ishte të fitonim këtë ndeshje. Ja arritëm qëllimit. Pjesa e parë ishte goxha mirë, në pjesën e dytë patëm probleme fizike dhe e ulëm disi ritmin. E rëndësishme është që fituam dhe të vazhdojmë kështu. Do të jetë e vështirë të rikuperojmë forcat për ndeshjen e radhës. Do të shoh gjendjen e lojtarëve, pasi të kemi vëzhguar me kujdes, do të vendosim si do të luajmë ndaj Lituanisë. Uroj që ndaj Lituanisë të bëjmë ndeshje si këtu në pjesën e parë. Kemi pasur lojtarë me probleme si Trashi dhe Gjimshiti. Shpresoj që të rikuperojmë sa më shumë forca në ndeshjen e ardhshme.

Më ka pëlqyer më shumë mbrojtja  që luajti mirë gjatë gjithë kohës. Sulmi pati oshilacione. Më pëlqyen shumë Abrashi, Bare, Trashi. Sakrifikuan shumë dhe bënë shumë kilometra. Mund të kemi debutime ndaj Lituanisë, duke parë gjendjen e grupit.

Jam shumë krenar që jam pjesë e kësaj skuadre. Djemtë po japin shpirtin në fushë. Mora vesh që Kazakistani kishte fituar. Nuk është e lehtë të thuash që rruga është e lehtë. Kemi mungesa, Kumbullën, Ismajlin, etj. Duhet të shikojmë gjendjen e lojtarëve. Do të punojmë për të ardhmen, jo vetëm për të tashmen”, deklaroi Reja pas ndeshjes.

SHKARKO APP