Reja merr lajme te mira nga Italia, por shqetësojnë Sadiku dhe Abrashi
Lajme të mira për kombëtaren e Shqipërisë në prag të dy sfidave të nëntorit, të fundit në eliminatoret e Euro 2020 kundër Andorres dhe Francës. Pas dëmtimit të rëndë që e la jashtë sfidave të fundit të skuadrës kuqezi, Elseid Hysaj është rikuperuar plotësisht dhe pritet të kthehet në fushë që në këtë fundjavë në sfidën kundër Romës në Serie A.
Mbrojtësi është bashkuar dhe stërvitur me skuadrën e drejtuar nga Carlo Ancelotti. Të tjera lajme të mira vijnë nga Italia për Edi Reja. Ashtu si Hysaj edhe Ledian Memushaj ka kaluar dëmtimin që e la jashtë fushe javën e shkuar. Mesfushori ka nisur stërvitjen me Peskarën dhe do të luajë në sfidën e fundjavës në Serie B. Për mesfushën, Reja mund të ketë edhe një tjetër alternativë. Emanuele Ndoj gjithashtu i dha fund muajve të vështirë si pasojë e dëmtimit, teksa debutoi me Brescia në Serie A në ndeshjen kundër Interit.
Ndërkohë, në dyshim të fortë për ndeshjet e nëntorit janë Armando Sadiku dhe Amir Abrashi. Të dy futbollistët janë dëmtuar, ndërsa për grumbullimin e tyre do të vendoset vetëm në momentin e fundit.