Reja: Na çatë tr*pin me 3-5-2, bjellorusët ishin “monstra”
Trajneri Edy Reja është shprehur i kënaqur me triumfin 3-2 kundër Bjellorusisë, ndërkohë që u justifikua edhe për lojën e dobët në fraksionin e dytë. Strategu italian tha se një pjesë e mirë e futbollistëve në ekipin e tij, luajnë shumë pak ndaj dhe vuajtën në 45 minutat e dyta.
“Nëse keni parasysh, lojtarët që janë aktivizuar, ka shumë që nuk luajnë as në klube. Ju e dini, nuk mund të pretendonim që në 3 ditë të ishin në formë të mirë fizike. Për sa kohë ishim mirë fizikisht, e kontrolluam ndeshje. E lëshuam për pak takimin. I komplimentoj shumë lojtarët se dhanë maksimumin. Nuk mund të bëjnë kritika. Kemi fituar 3 ndeshjet e fundit. Më pëlqen të luaj mirë kur i kemi mundësitë. Tani na duhej rezultati, i morëm me meritë. Djemtë treguan se duan kombëtaren, dhe duhet t’u japim meritat. Shpirti, agresiviteti që luftuan deri në fund. Memolla ka një muaj që s’luan, Ismajli dy muaj, Gjasula nuk luan në ekipin e tij. Veseli ka 3 ndeshje që luan vetëm me ne. Bjellorusia është e fortë fizikisht, ishte e vështirë t’i përmbanim. Luajnë fort dhe në lojën në ajër.
Momenti pozitiv ishin debutuesit Kallaku, Broja, Selahi, që nuk kanë eksperiencë, por u përgjigjën në mënyrë të shkëlqyer. Fakti që COVID na ka hequr disa lojtarë, kemi marrë lojtarë të rinj dhe janë përgjigjur mirë. Vlerësoj dhe veteranët, Cikalleshin, Memushajn, Gjimshitin. Këta veteranë mbajtën dhe ndihmuam të rinjtë. Po të mos ishte për ata veteranë, edhe të tjerët nuk do të bënin kaq mirë. Mendoj se Memushaj shtrëngoi dhëmbët, mezi priste të dilte. Memolla çerek ore pas pjesës së dytë më tha të dilte. I thashë shtrëngo dhëmbët sepse s’kisha alternativa.
Mbrojtja me 3? U bë e mërzitshme. Pse nuk pyesni se çfarë bënë sot dhe si ndihen me skemën 3-5-2. Gjithmonë nxirrni këtë histori. Na çatë tr*pin me këtë punën e modulit 3-5-2, sapo mundëm bjellorusët që ishin ‘monstra’. Futbolli luhet me 3, 4 mbrojtës. Shpesh 3 lojtarë markojnë një kundër një, Doka luan në fazë ofensive. Nëse ke lojtarë të tjerë, merr dhe rezultate më të mira. 6 gola në dy ndeshjet e fundit? Cikalleshi është mjaft i zoti para portës. Shikoni çfarë ka ndodhur në të kaluarën në 1974, 1975 kemi bërë 6 gola në miqësore, nuk mund të qahemi për gola. Ka shumë që e shohin ndeshjen, e kam për analistët”, deklaroi Reja.