Reja: Ndaj Kosovës më pëlqyen shumë lojtarë, kapiteni është Berisha!
Trajneri i Kombëtares, Edy Reja u shpreh shumë i kënaqur në intervistat e dhëna pas fitores në vëllazëroren kundër Kosovës. Strategu italian vlerësoi talentin Çepele, si dhe Uzunin e Balajn që gjetën rrugën e rrjetës. Nuk mungoi as një sqarim edhe për shiritin e kapitenit, që kaloi nga Hysaj te Berisha.
“Shpresojmë që të rinjtë të jenë pjesë e projektit tonë për Europianin e 2024. Sot më pëlqyen shumë lojtarë. Provova Selahin dhe Dokën. Një miqësore e vlefshme që lojtarët të fitojnë sa më shumë minuta dhe eksperiencë. Nuk mund të leme pa përmendur këtu Çepelen. Një lojtar që tregoi personalitet. Është vetëm 17-vjeç. Sot bëri një paraqitje shumë të mirë. Janë lojtarë që mund të na shërbejnë në të ardhmen. Të shikojmë. Ka qenë e rëndësishme për ne që të luanim këtë miqësore. Kur thashë që doja ta evidentoja ishte për shkak të situatës së pandemisë. Në aspektin moral një rezultat negativ me Kosovën do na kishte dëmtuar, por gjithçka shkoi mirë.
Balaj? Jam i lumtur për të dhe për lojtarët e tjerë. Bëmë një paraqitje të mirë dhe arritëm 2 herë te goli. Jam i kënaqur që fituam ndaj Kosovës, skuadër që ka në përbërje lojtarë cilësorë që luajnë në kampionate elitare. Thatë Balajn, por kemi edhe Cikalleshin. Në përgjithësi jam i kënaqur, me skuadrën dhe atë ç’ka tregoi në fushë.
Uzuni? Ka bërë një paraqitje të mirë. Edhe fakti që dhënë asist më kënaq. Aktivizohet me një skuadër si Ferencvaros që luan në Champions. Është i motivuar dhe po bën mjaft mirë. Ai ndihet mirë edhe kur luan në qendër. Është më mirë kur luan në ka me karakteristikat që ka. Është më shumë i përshtatshëm në lojën që ka”, u shpreh strategu italian për Supersport.
Më tej në deklaratën e dhënë për RTSH ai sqaroi edhe situatën e shiritit të kapitenit: “Kapiteni e kemi thënë edhe herë të tjera, është Etrit Berisha. Kjo zgjedhje është bërë me votim dhe ata e kanë zgjedhur, nuk ka çështje në këtë mes. Nëse Berisha nuk do të jetë në fushë atëherë, Hysaj do ketë shiritin”.