Reja: Ndeshje perfekte përveç episodit, kemi mangësi para porte
Trajneri i kombëtares sonë, Edy Reja u shpreh shumë i kënaqur nga loja e djemëve kuqezi, por shprehu keqardhjen për episodin që solli golin për Turqinë.
“Nuk jam i zhgënjyer për lojën. Kemi bërë një lojë perfekte, po të mos ishte për episodin e minutës së fundit. Kemi pasur disa shanse për të kaluar në avantazh, duhej ta mbyllnim ndeshjet me ato raste. Djemtë janë të zhgënjyer dhe të mërzitur, si dhe populli shqiptar që na ndoqi. Humbëm një rast të mirë për 3 pikët këtu, që të vazhdonim garën për në Europian. Nuk është e thënë që nuk bëhet gjë për në Europian, por është shumë e vështirë rruga.
Nuk mund të them asnjë gjë negative. Pati atë që duhej, grintën e duhur. Kishte disa pasime të tepërta të gabuara, por normale, sepse Turqia bëri një presing të fortë. Kishte lojtarë shumë të mirë fizikisht. Duhet të jemi më të vëmendshëm dhe determinant para portës. Duhet të godasim me vendosmëri. Kemi mangësi aty para portë, sepse u pa qartë sa humbëm.
Në fund isha pak i mërzitur, më shumë me fatin se me lojën e çunave. Asnjë nuk më zhgënjeu dhe poshtë pritshmërive të mia. Prisja një ndeshje cilësore, dhe kjo konfirmon rritjen që ekipi ka pasur. Ishte test i rëndësishëm për ne. Nëse luajmë kështu, kemi shanse për të vënë në rrezik çdo ekip”, deklaroi Reja.