Reja: Nga Anglisë duhet ndeshje perfekte, mrekullitë mund të ndodhin!
Trajneri i ekipit Kombëtar, Edoardo Reja doli mbrëmjen e sotme në konferencën zyrtare për mediat në prag të ndeshjes që Shqipëria do të zhvillojë ditën e nesërme ndaj Anglisë, sfidë e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror “Katar 2022”, që do të nisë në ora 20:45 e që do të zhvillohet në stadiumin e Uemblit, në Londër.
Strategu italian u shpreh se Anglia është një skuadër shumë e fortë, por Shqipëria do të luajë fort dhe do të kërkojë të marrë rezultat pozitiv në Uembli, ndërsa kërkon që kuqezinjtë të bëjnë një ndeshje perfekte dhe të mos bëjnë gabime.
“Të gjitha ndeshjet luhen për t’i fituar. Sigurisht Anglia është një skuadër me vlera të mëdha, nga pikëpamja individuale dhe kolektive. Mendoj se duhet bërë një ndeshje perfekte. Ne kemi konsideratë, por kemi ardhur për të bërë një figurë të mirë, për të luajtur mirë dhe për të bërë rezultat, siç kemi bërë gjatë gjithë këtij edicioni.
Anglezët frikë nga italianët? – Këtu mendova për Mançinin se Italia ka fituar këtu, ai ka hapur rrugën për ne meqë i sjell fat Italisë dhe italianëve. Ndoshta edhe fati do të kthehet nga ne. Unë e kisha parashikuar Anglinë fituese, por Italia e meritonte. Pas golit të parë u duk se Anglia do të bënte edhe 3-4 por pastaj u mbyll, Italia bëri mirë e meritoi të fitonte. Urojmë që nesër fati të jetë në anën tonë se ka gjithmonë një herë të parë.
Anglia? I njohim shumë mirë vlerat e Anglisë, është një kundërshtar për të cilin nuk ka nevojë të flitet gjatë. Unë kam punuar shumë me skuadrën gjatë javës, për të rregulluar gjërat në aspektin e ekuilibrit. Nuk kam ndërmend që skuadra të zbresë në fushë dhe të presë kundërshtarin gjatë të gjithë kohës, por do të provojmë të krijojmë raste dhe ta vëmë në vështirësi gjatë të gjithë kohës. Sigurisht anglezët janë favoritë, por duhet personalitet nga ana jonë, nga ana e lojtarëve dhe e gjithë skuadrës në një ndeshje të tillë. Fusha është njësoj për të gjithë dhe duhet të luajmë pa frikë. Të bëjmë një ndeshje perfekte, të mos bëjmë gabime, sepse jemi penalizuar në disa ndeshje, sidomos ndaj Polonisë. Duhet të jenë perfektë të gjithë, jo vetëm lojtarët në fushë, por edhe zëvendësuesit të bëjnë maksimumin.
Formacioni për nesër dhe Broja? Nuk mund të them se kush luan sot, jam mësuar t’ua them formacionin lojtarëve në ditën e ndeshjes. Dyshimet janë gjithmonë, por kemi punuar shumë mirë ndaj kam vështirësi zgjedhje, uroj dhe shpresoj që nesër të hedh në fushë ekipin më të mirë. Sa i përket Brojës, qëndroi këtu të kurohej për kaviljen, por sot e nesër do të shohim se si është, do të jetë në fushë apo jo. Nuk është titullar, por do të shohim gjendjen e tij.
Stërvitja larg Uemblit? Kishte shumë rrugë për të bërë rreth 1 orë e gjysmë nga hotelit te stadiumi. Edhe nga aeroporti ishte 2 orë e gjysmë nga hoteli, ishim gjithë ditën rrugës ndaj gjetëm këtë zgjidhje praktike që nuk ndryshon gjërat.
Cikalleshi kapiten? Jo, do të dëshiroja të ndryshoja sjelljen, të flisnin pak të gjithë, jo vetëm kapiteni. Ishte e drejtë që të njiheshin të gjithë, në varësi të momentit, se si është situata e njërit apo tjetrit.
A besoj se mund të fitojmë? Uembli është tempulli i futbollit, prej shumë vitesh e njoh këtë realitet dhe jam shumë mik i Kapelos dhe ai më ka treguar se çfarë përfaqëson Uembli për futbollin ndërkombëtar ndaj do të jem i emocionuar. Ka të drejtë Cikalleshi se kur luhet në këto stadiume duhet të tregosh të gjithë karakterin tënd. Mançini ka fituar, Kapelo ka shënuar gol dhe Italia fitoi 1-0 këtu. Nuk ka 2 pa 3, ndaj urojmë që të vijë rezultati edhe për ne. E di që do të ishte e vështirë, por mrekullitë me raste ndodhin”, deklaroi Reja.
KOHA JONË SONDAZH

