Reja: Po të mundja, do e evitoja miqësoren me Kosovën
Trajneri i Shqipërisë, Edoardo Reja në konferencën për shtyp përpara vëllazërores kundër Kosovës, u shpreh se po të kishte mundësi do të donte që ta evitonte miqësoren ndaj “Dardanëve”. Ndërkohë ai u shpreh i shqetësuar për mungesat e shumta dhe për situatën e paqartë të Kumbullës.
A do të jetë ndeshja Kosova test për dy ndeshjet e ardhshme dhe sa do të ndikojnë mungesat?
Është një ndeshje e ndier nga të dyja tifozëritë, do të mundohem të hedh në fushë një formacion konkurrues. Do të doja që të mbetej miqësore dhe mos ketë më shumë grintë se ç’duhet. Broja nuk mund të jetë i gatshëm për probleme fizike, Gjasula do të vijë me vonë, duhet të shoh sot, pasdite, se kush është në gjendje më të mire dhe në mëngjes do të vendos për formacionin. Do të luajnë lojtarë si Hoxhallari, Çepele, Ismajlgeci, i kam parë edhe herë tjetër. Do të shoh edhe të rinjtë, meqë është miqësore. Nëse nuk i provoj tani, kur do të mund t’i provoj?
Pse Hoxhallari dhe Ismajlgeci, që luajnë në të njëjtin pozicion?
Kam vështirësi në atë rol (krahu i majtë), sepse kam mungesa. Lenjani nuk mundi të vinte, as Trashi, prandaj mu desh të thërrisja lojtarë të rinj, por që i njoh. Kam folur me Ismajlgecin dhe më tha se mund të luante, nuk kishte më shqetësime. Kam marrë lojtarët e duhur, që mund të japin kontribut si pjesë e skuadrës sonë.
Nuk do të jetë Kumbulla, si është situata me Romën? Ka shpresa që të vijë?
Dje jemi përpjekur për të folur me autoritet shëndetësore të Romës, nëse mund të vinte, por sot rezultuan edhe tre lojtarë të tjerë pozitivë. Situata është e vështirë. Ne ishim gati t’i vinim në dispozicion edhe avion privat. Uroj që ta lejojnë e ta kemi për dy ndeshjet e Nations League. Shpresojmë ta gjejmë zgjidhjen të shtunën, që ta kemi në dispozicion.
Çfarë mund të ndryshojë në këto dy ndeshje? Pse nuk janë grumbulluar Balliu dhe Binaku?
Zgjedhjet i bën trajneri, nuk mund t’i zgjedh të gjithë. Kemi parë 50 lojtarë. Ndoshta në të ardhmen mund të vijnë lojtarë të tjerë. Mendoj që ata që kam grumbulluar janë më të nevojshëm për momentin.
Objektivi për Nations League?
Ideja jonë është t’i fitojmë të dyja ndeshjet, sepse ishim favoritë në fillim dhe vazhdojmë të jemi edhe tani. Na shkoi keq ndeshja në shtëpi me Lituaninë, nuk mundëm të fitonim në Kazakistan dhe pastaj Lituani, por nëse i fitojmë të dyja ndeshjet që kanë mbetur, me shumë mundësi do të jemi të parët.
Sa e vështirë do të jetë ta motivosh skuadrën kundër Kosovës?
Po të kisha mundësi, do ta evitoja miqësoren me Kosovën, por s’kishim alternativa të tjera. U gjendëm në një moment të vështirë. Besoj se do t’i gjejmë motivimet për të luajtur një ndeshje të mirë. Ata që janë grumbulluar për herë të parë do të bëjmë maksimumin për të treguar veten, që të jenë të dobishëm në të ardhmen.