Reja propozon një trajner shqiptar si pasuesin e tij në krye të Kombëtares
Trajneri Edoardo Reja propozon një trajner shqiptar për pasardhës të tij në stolin e Kombëtares Shqiptare. Në një intervistë për RTSH, italiani shprehet se ndoshta ka ardhur koha që drejtimin e ekipit ta marrë një prodhim vendas nëse presidenti i FSHF, Armand Duka nuk ia rinovon kontratën përtej nëntorit.
“Ervin Bulku ka bërë shumë mirë. Kam qenë me të në Kroaci dhe i kam ndjekur nga afër ndeshjet e tij ku fitoi me Kroacinë dhe Suedinë. Unë mendoj se është një nga ata që mund të jetë gati për të marrë drejtimin e Kombëtares. Kur unë të mbyll kapitullin do ta propozoj. I duhet pak eksperiencë por mendoj se është gati.
Armand Duka është i orientuar drejt trajnerëve italianë por mendoj se ndoshta kur unë të largohem, ai duhet t’i besojë një trajneri shqiptar. Po punojmë në këtë aspekt për të rritur sa më shumë nivelin dhe vlerat e trajnerëve shqiptarë. Jam i sinqertë dhe jam i sigurt për atë që them dhe bëj. Duka dëshiron që të rritet niveli i skuadrave shqiptare dhe në të ardhmen mund të ketë trajnerë shqiptarë që vijnë në skuadrën e parë dhe ky është mendimi dhe besim im”, deklaroi Reja.