Reja rrëfehet për FIFA-n: Kualifikimi në Botëror? Ëndrrat mund të bëhen të vërteta!
Kur Edoardo Reja u ul për herë të parë stolin e një skuadre si trajner, Zinedine Zidane dhe Pep Guardiola ishin përkatësisht shtatë dhe tetë vjeç, Jurgen Klopp ishte 11 vjeç dhe Julian Nagelsmann as nuk kishte lindur. Pas katër dekadash, 75-vjeçari vazhdon punën e tij të 26-të si trajner. Nivelet e motivimit të tij janë aq të larta, sa kanë qenë gjithmonë. Para prillit 2019, dhe me përjashtim të një magjie të shkurtër me skuadrën kroate Hajduk Split, ai e kishte kaluar tërë karrierën e tij duke stërvitur klube italiane. Pastaj erdhi një sfidë e re, ndërsa filloi punën në Shqipëri. Ky ishte emërimi i tij i parë në krye të një ekipi kombëtar. Sapo i drejtoi “shqiponjat” në vendin e parë të grupit përkatës të Ligës së Kombeve. Edy Reja tani po ëndërron ta çojë Shqipërinë në Kupën e Botës për herë të parë.
Me shortin që është shumë pranë, ish-trajneri i Lazio, Napoli dhe Atalanta foli me FIFA.com për qëllimet e tij në rrugën për “Katar 2022” dhe mësimet që ka marrë gjatë karrierës së gjatë. Është ai që shpreson ta përfundojë karrierën me një arritje të lartë. Pasioni i tij për lojën e futbollit nuk ka ndryshuar kurrë.
Ju fituat grupin e Ligës së Kombeve dhe u ngritët në Ligën B. Çfarë mësuat për ekipin tuaj gjatë garës?
Liga e Kombeve ishte një përvojë interesante. Çdo skuadër ka një qasje të ndryshme ndaj futbollit, që do të thoshte se ne duhet të adaptoheshim në më shumë se një rast. U përgatitëm mirë për ndeshjet tona dhe mora një përgjigje të mirë nga ekipi. Më pëlqen mënyra se si u adaptuam në taktika të ndryshme; më bëri përshtypje sjellja e lojtarëve të rinj, të cilët vërtetuan vlerën e tyre.
Ishte një kënaqësi e vërtetë, sepse më duhet ta pranoj që isha pak i frikësuar para këtyre ndeshjeve. Për lojtarët e lindur midis viteve 1999 dhe 2001, të cilët nuk kanë shumë përvojë, skena ndërkombëtare mund të ketë qenë një perspektivë e frikshme. Përfaqësimi i vendit është një përgjegjësi e madhe dhe një sfidë e vështirë, por ata ishin shumë të guximshëm dhe “u futën në këpucët” e lojtarëve që mbetën jashtë për shkak të Covid-19 dhe dëmtimeve.
A kishte ndonjë gjë që nuk ju pëlqente dhe po kërkoni ta përmirësoni para fillimit të kualifikimeve për Kupën e Botës 2022?
Nuk më pëlqente fakti që humbëm përqendrimin, pasi fituam një lojë, dhe nuk treguam aq vendosmëri. Ju nuk mund të relaksoheni dhe të humbni përqendrimin tuaj në këtë nivel, sepse ndaloni së dhëni gjithçka. Kjo i jep edhe kundërshtarit më të dobët mundësinë për t’ju goditur. Kur jemi të relaksuar na mungon agresioni që na duhet për të marrë rezultate. Ne e futëm veten në telashe kundër Bjellorusisë, duke pësuar një gol budalla, pasi shkuan 2-0 në epërsi. Nëse duam të rritemi dhe të bëhemi më mirë, duhet t’i kushtojmë më shumë vëmendje garës dhe të jemi shumë më të përqendruar.
Shqipëria u kualifikua në “EURO 2016”, por nuk arriti ta përsërisë atë sukses në kualifikimet për “Rusia 2018” dhe “EURO 2020”. A mendoni se keni shanse reale për të arritur në “Katar 2022”?
Ne kemi treguar se jemi një kombëtare konkurruese. Qëllimi është të përmirësohemi sa më shumë të jetë e mundur. Duhet të vendosim synimet tona për kualifikim dhe ta bëjmë atë ëndrrën tonë, sepse duhet të besoni në objektivat tuaja. Nëse kjo skuadër beson dhe nëse ndjek udhëheqjen time, atëherë mund të arrijë gjëra të mëdha. Rruga jonë, gjithashtu, do të formësohet nga shorti, por ëndrrat mund të bëhen të vërteta. Nëse nuk besoni, atëherë nuk mund të bëni gjëra të mëdha.
Ju keni kaluar pjesën më të mirë të dy viteve në futbollin shqiptar tani. Deri ku mund të shkoni dhe çfarë përmirësimesh mund të bëni?
Futbolli shqiptar po rritet gjatë gjithë kohës, FSHF ka merita për punën që ka bërë, veçanërisht përmes investimeve të saj në infrastrukturë dhe në zhvillimin e burimeve njerëzore e profesionale. Unë kam qenë në shumë ndeshje dhe niveli është i mirë, por taktika është një fushë, ku ka vend për përmirësim. Ka shumë për të bërë për sa i përket mënyrës së mendimit, planeve të lojës dhe aftësisë fizike.
Ju keni kaluar tërë karrierën tuaj duke trajnuar klube. Çfarë ju shtyu të merrni një punë të tillë me kombëtaren shqiptare?
Kam pasur një karrierë të gjatë si trajner, 41 vite tani, dhe mendoj se kam marrë gjithçka që kam dashur nga futbolli i klubeve. Unë kisha arritur kufirin tim, megjithëse jo kur bëhet fjalë për motivimin dhe ambicien. Fillova me klube të vogla dhe gradualisht kalova në ekipe më të mëdha. Duhet të jem i sinqertë dhe të them se gjithmonë kam arritur rezultatet që doja. Unë kurrë nuk kam dështuar. Kishte ardhur koha për të thënë ‘ndalo’. Unë doja të stërvitja një ekip kombëtar, sepse ishte pjesa e fundit e enigmës sime të futbollit.
Kur Shqipëria më bëri ofertë, isha shumë i lumtur ta pranoja. Doja të dija se si ndjehet trajnimi i një ekipi kombëtar dhe problemet që vijnë me të, sepse padyshim që nuk është e njëjta gjë si të stërvitesh një klub, ku lojtarët janë në dispozicionin tënd gjatë gjithë kohës. Me një ekip kombëtar, ju keni vetëm një javë ose dhjetë ditë për t’i stërvitur ata dhe duhet të jeni në gjendje të vlerësoni shpejt se kush është në formë dhe kush jo. Është punë mjaft stimuluese.
Ju keni punuar në shumë klube më të vogla dhe i keni ndihmuar ato të bëjnë përparim. A e shihni këtë më shumë si një sfidë, sesa marrjen e një klubi të madh dhe mbajtjen e tij në krye?
Kur e fillova, doja të stërvitja klube të mëdha si Interi dhe Juventusi. Por, unë nuk kam stërvitur ekipe të vogla. Unë mora drejtimin e ekipeve që kishin hyrë në Serie B, ose që kishin qenë vërtet duke luftuar në Serie A, si Bologna, Genoa, Verona dhe Cagliari. Ata oishin klube të një standardi të caktuar dhe që po kalonin kohë të vështira.
Unë i kam arritur qëllimet e mia kudo që kam trajnuar. Kam ngjitur ekipe nga Serie B në Serie A katër herë. Unë bëra përparim me Lazio dhe Napoli, të cilët i futa në Kupën UEFA (Europa League). Kam marrë një kënaqësi të madhe dhe shpresoj që ky udhëtim i gjatë të përfundojë me Shqipërinë. Pse nuk duhet t’i marr të tilla kënaqësi edhe duke luajtur në Kupën e Botës, ose “EURO 2024”, të paktën?
A jeni penduar gjatë karrierës tuaj të gjatë dhe a ka pasur gjëra për të cilat jeni me të vërtetë krenarë?
Nuk jam penduar, sepse kjo jetë më ka dhënë gjithçka. Unë kam bërë një punë që e kam dashur. Kam luajtur futboll në nivelin më të lartë dhe më pas kam filluar të bëj trajnerin. Kam bërë shumë sakrifica, por gjithmonë e kam dashur këtë punë. Unë jam po aq entuziast për futbollin, sa isha kur e fillova. Është një sport me të cilin kam qenë gjithmonë i dashuruar dhe jam akoma këtu, pavarësisht moshës. Jam i ri në zemër dhe ndihem i fortë.
Arritja ime më e madhe ishte marrja e Napolit gjatë gjithë ciklit, nga Serie C në Serie A dhe Kupën UEFA-s. Të gjitha ndodhën në tri vitet. Ato ishin tri vite në parajsën e futbollit. Njerëzit atje kanë kaq shumë entuziasëm, jetojnë dhe marrin frymë nga futbolli. Ndihem me fat, sepse kam bërë punën që gjithmonë e kam dashur dhe nuk jam penduar për asgjë që kam bërë.
Ju keni trajnuar qindra lojtarë në 40 vitet e fundit. Me cilët keni pasur një marrëdhënie të veçantë dhe ju kanë lënë përshtypjen më të madhe?
Nuk mund t’ju them se me sa trajnerë dhe lojtarë kam kaluar shumë mirë, që ende më telefonojnë. Do të ishte një listë e gjatë (qesh). Unë kam trajnuar lojtarë të shkëlqyeshëm, si Andrea Pirlo dhe Miroslav Klose, të cilët luajtën në katër Kupa Bote. Gjermani është golashënuesi kryesor i të gjitha kohërave në Botëror. Kam pasur një marrëdhënie të shkëlqyeshme me të. Ai ishte një lojtar brilant, inteligjent. Në Napoli kam punuar me Marek Hamsik dhe Ezequiel Lavezzi, për të përmendur vetëm dy. Si mund të zgjidhja vetëm një emër, kur gjithmonë kam kaluar mirë me kaq shumë lojtarë …
Babai juaj ishte një vreshtar. Pa dyshim që ai do të thoshte që ju po bëheni më të mirë me kalimin e moshës, si puna e verës… A keni kuptimin se çdo përvojë që keni pasur ju ka bërë një trajner më të mirë?
Nëse keni një bazë të mirë dhe e vlerësoni çdo proces të duhur, atëherë do të përfundoni si një verë e mirë. Dhe nëse mbani një shishe të mirë, atëherë sa më e vjetër të jetë vera, aq më mirë do të jetë. Megjithatë, nuk mund të them të njëjtën gjë për veten time. Nuk më takon mua të gjykoj se kush jam dhe çfarë kam bërë. Unë do t’i lë të tjerët ta bëjnë këtë, siç kam bërë gjithmonë. Prindërit e mi ishin njerëz të përulur dhe ata më mësuan të mbaj këmbët në tokë, sepse më e mira pritet të vijë, sepse nesër do të jetë më mirë se dje.
Unë gjithmonë kam qenë një mendimtar pozitiv. Jam një person pozitiv. Nuk mbaj inat dhe gjithmonë shoh përpara. Nuk më pëlqen të flas për të kaluarën, megjithëse përvoja është jetike në punën tonë. Dhe nëse kam arritur deri këtu, duke u përmirësuar ditë pas dite, e gjitha është për shkak të së kaluarës. Unë punoj çdo ditë, sidoqoftë. Shikoj ndeshje, flas me trajnerë të tjerë dhe mbaj azhurnim për përgatitjen e fitnesit. Futbolli është gjithnjë në zhvillim dhe duhet të vazhdoni me risitë. Nëse nuk e bëni, nuk do të qëndroni në krye. Kjo është ajo që unë kam bërë deri më tani.
Ju u larguat nga shtëpia dhe filluat odisenë tuaj të futbollit 60 vite më parë. A keni një ide se ku dhe kur mund të marrë fund?
Ka qenë gjithmonë jeta ime. Pasioni im do të vdesë me mua, sepse kam lindur me një top në duar. Unë e dua topin. Ka qenë me mua tërë jetën time dhe më ka dhënë një kënaqësi të madhe.