Reja: Tani kemi mentalitet tjetër, por nuk duhet të fluturojmë!

Trajneri i Kombëtares, Edy Reja u shfaq shumë i kënaqur pas fitores minimale ndaj Hungarisë. Strategu italian theksoi pas ndeshjes se ekipi ka fituar më shumë pjekuri dhe do të tentojë triumfin dhe ndaj Polonisë.

“Jemi në lojë për objektivin dhe do provojmë deri në fund. U përpoqëm që në fillim të shënonim. Duhet ta zgjidhnim që në pjesën e parë, pasi i kishim rastet. Jam i kënaqur, pasi të fitosh këtu nuk është e lehtë.

Patëm disa raste, tre të pastra për gol dhe nuk duhet të vuanim kaq shumë. Doja lojtarë teknikë në kontrollin e topit. Doja lojtarët që të bënin presing në sulm. Cikalleshi e Uzuni e bënë këtë, sikurse edhe mesfushorët. Kur jemi mirë fizikisht dhe teknikisht ia dalim. Kishim tre raste dhe duhet të shënonim dhe ta mbyllnim ndeshjen.

Kjo është një skuadër që beson, ka pjekuri. Tani duhet të punojmë dhe të luftojmë për njëri-tjetrin. Kemi humbur ndaj Polonisë dhe Anglisë, gjë që të ndodh. Nuk duhet të fluturojmë, por të punojmë dhe të ecim përpara. Jemi ekip që mund të konkretizojmë dhe të krijojmë raste. Jemi gati për të bërë hapa të mëdha për rezultate”, deklaroi Reja.

SHKARKO APP