Reja zbulon bisedën me Dukën për “Euro 2024”: Qesha, i thashë do jem 80 vjeç!
Trajneri i Shqipërisë Edi Reja ka dhënë së fundmi një intervistë për gazetën italiane “La Repubblica” ku foli për aventurën që po kalon me kuqezinjtë, pas arritjes së vendit të parë të grupit në Ligën e Kombeve.
Ish-trajneri i Napolit dhe Lazios tregoi bisedën e parë me presidentin e FSHF-së Armand Duka kur erdhi në Shqipëri. Italiani tregoi se iu përgjigj me batutë se deri në vitin e “EURO 2024” do të jetë tepër i moshuar, pasi kreu i FSHF-së i kërkoi fillimisht të nisnin përgatitjet për sigurimin e kualifikimit në kampionatin e ardhshëm europian.
Zoti Reja, sërish në punë. Akoma nuk e keni humbur “vesin”…
Shkuam përtej pritshmërive. Ishim në një situatë të vështirë për shkak të COVID-19 dhe dëmtimeve. Morëm 23 nga 36 lojtarë. Ishte një arritje që ia vlente dyfish, kush mund priste. Morëm lojtarë që nuk aktivizohen as në Serinë B dhe që nuk merren shumë në konsideratë nga klubet. Por, me Shqipërinë treguan shpirt të madh dhe përshtatje.
Ju keni në dispozicion lojtarë që aktivizohen në Itali. A ka dikush tjetër, ndoshta më pak të njohur, që është gati për të hedhur hapin e madh?
Problemi vërtetë është se nuk ka një lojtar nga Shqipëria në kombëtare, janë të gjithë me nënshtetësi zvicerane, franceze, holandeze. Duhet të peshkosh vërdallë dhe kjo nuk është e lehtë. Është Broja, 19 vjeç, që luan me Vitesen. Është futbollist interesant. I dhashë mundësinë Çepeles të debutojë me kombëtaren, i cili është vetëm 17 vjeç. Kemi mjaft lojtarë të rinj që synojnë të rriten.
Domethënë projekti është afatgjatë?
Sapo arrita në Shqipëri, presidenti më kërkoi që të përgatiteshim sa më mirë në mënyrë që të kapnim kampionatin europian të vitit 2024. Fillimisht qesha dhe iu përgjigja se nuk mund ta bëj këtë gjë sepse deri atëherë do të kem bërë 80 vjeç, por për aq kohë sa jam i qartë, vazhdoj me këtë projekt që më pëlqen shumë. Kemi një shkollë futbolli, pastaj do të fillojmë kurset për trajnerët shqiptarët, përgatitësit atletik dhe drejtorët sportive. Qëllimi jonë është rrisim talentet e rinj që kanë nevojë për mbështetje. Koronavirusi na ka ngadalësuar pak, por kemi nisur me këmbën e mbarë.
Mes lojtarë në kombëtare është Strakosha, të cilin e keni parë në një moshë shumë të re te Lazio. Sa e rëndësishme është për të që ketë në krah një veteran si Pepe Reina?
Mendoj se Strakosha do të mësojë shumë nga një portier me përvojë dhe personalitet si Reina. Mendoj se Lazio prandaj e ka marrë. Reina është një lider, të cilin e ndjek e gjithë skuadra. Sot kërkojmë portierë që dinë të luajnë me këmbët. Dhe Strakosha është i zoti në këtë gjë. Ndonjëherë e ekzagjeron dhe rrezikon shumë duke më dhënë ndonjë goditje të fortë.