Investigimi i KOHA JONE/ PLISAT dhe tifozët polakë u lanë bashkë në stadium, çka solli përplasje dhe shishe

Nga Rozalb Lika

Hedhja e shisheve në fushën e lojës nga tifozët tanë dje nuk ndodhi rastësisht. Më poshtë do ju rreshtoj dhe faktet nga dhe pse ndodhi:

Ditën e djeshme isha i akredituar nga Federata Shqiptare e Futbollit për të qenë i pranishëm në stadium. Në rrugën Ibrahim Rrugova u ndesha me një grupim tifozësh polakë, në dukje të qetë dhe që asnjë tifoz shqiptarë nuk i provokoi. Më tutje dëgjova brohorima nga një bar, ku ishin pozicionuar grupimi i tifozëve nga Prishtina “Plisat”. Ata ishin të zjarrtë dhe këndonin pa pushim. Vendosa që të shkoja drejt stadiumit së bashku me ta, duke qenë edhe “Live” në rrjetet sociale të faqes së “Koha Jonë”. Përballë Pallatit të Kongreseve papritur dalin disa tifozë polakë të maskuar dhe me siguri edhe të dehur.

Momenti i sherrit mes tifozeve para ndeshjes Shqiperi-Poloni

Ata provokuan grupimin nga Prishtina duke përmendur fjalën Serbi, menjëherë nisi përplasja me grushte dhe shishe mes tyre. Policët u gjendën të papërgatitur dhe në një numër të vogël. Menjëherë aty pranë njëri prej tyre lajmëroi grupin e gatshëm “Shqiponja”, të cilët nuk vonuan as dy minuta dhe nisën arrestimin e Plisave.

Shqiperi-Poloni, tifozet perplasen me njeri-tjetrin

Kjo ishte thjeshtë indicia e parë, e asaj që do të ndodhte brenda Stadiumit. Siç mund të shihni në videon më poshtë ata ishin të maskuar dhe kishin ardhur me synime të qarta për të shkaktuar trazira, pasi ngacmonin edhe grupimet e tjera të tifozëve.

Më tej në pamundësi për të qenë pranë tifo-grupeve, futem në ambientet e brendshme të stadiumit që i dedikohen mediave. Menjëherë më bën përshtypje fakti që tifo-grupi Plisat ishte pozicionuar në stadium mbrapa porte dhe poshtë tifozëve që kishin ardhur nga Polonia. Ata ishin në katin e dytë të stadiumit, teksa numri i tyre jo zyrtarisht shkonte në rreth 1000 fansa. Një gabim i rëndë i organizatorëve që do na kushtonte shumë më vonë. Vazhdimisht kishte provokime nga tifozët polakë dhe kjo gjë ndodhi gjatë gjithë takimit. Nuk munguan as hedhjet e sendeve nga kati i dytë drejtë tifozëve, madje duke u rrezikuar edhe jetën.

Për të kaluar te episodi i shumë diskutuar i minutës së 77-të. Nëse ju duket rastësi që Karol Swiderski shkoi për të festuar pikërisht te tifo-grupi Plisat, ju them se e keni gabim. Ishte një plan mëse i qartë që ata do të reagonin, pasi edhe gjatë ndeshjes arbitri kishte paralajmëruar në një pjesë tjetër se do ta ndërpriste ndeshjen. Provokimet nga tifozët polakë në lidhje me Serbinë dhe ajo e futbollistëve, bën që shqiptarët të bënin shqiptarët. Ne fundja jemi gjaknxehtë, të gjithë e dimë, madje dhe sulmuesi polak, që na njeh mirë pasi luan në Greqi me PAOK. Reagimi i tifozëve tanë nuk është aspak për t’u duartrokitur, por ama e vërteta duhet thënë ashtu siç është. Polakët e zbatuan më së miri planin e tyre dhe morën 3 pikë me shumë vlerë që mund t’i dërgojë në play-off. /Koha Jone/

Albania Polska zwycięski gol Karol Świderski Tirana 12.10.2021

SHKARKO APP