Reus dorëzohet: Kam nevojë për pushim, nuk do të shkoj në Europian!
Një talent i prekur nga dëmtimet. Karriera e Marco Reus është kushtëzuar nga ndalesat e shumta, shpesh herë për shkak të muskujve të brishtë. Gjermania do të duhet të bëjë pa të në ”Euro 2020”, teksa lajmin e ka konfirmuar vetë futbollisti. Ai është shprehur se i nevojitet një periudhë pushimi, pasi nuk mund të kërkojë më shumë nga trupi i tij pas një sezoni të gjatë dhe të lodhshëm. Reus do ta shohë Europianin nga TV, teksa kujtojmë që në fazën kualifikuese shënoi tre gola në 6 ndeshje në të cilat u aktivizua.
“E kam marrë vendimin tim. Kam biseduar edhe me trajnerin e ekipit kombëtar. Pas një sezoni të komplikuar, të lodhshëm, por falë Zotit, të suksesshëm, njoftova se nuk jam gati të shkoj në Kampionatin Evropian. Ishte shumë e vështirë për mua ta merrja këtë vendim, sepse të luaj për vendin tim gjithmonë ka qenë një krenari.
Vendosa t’i jepja trupit tim kohë për t’u rikuperuar. Do të përfitoj nga ky pushim për të qenë më i gatshëm dhe më i freskët në sezonin e ri”, ka shpjeguar Reus. Një vendim i justifikuar, pasi mesfushori ka kaluar dëmtime të shumta muskulore që e kanë kushtëzuar shpesh herë që të humbasë sfida të rëndësishme. /R.Lika-Koha Jone/