Revista franceze “vesh” Messin me fanelën e PSG
“France Football” ka publikuar sot në kopertinë foton e Leo Messit të veshur me fanelën e PSG dhe ka analizuar transferimin e mundshëm të argjentinasit, një javë përpara se Barcelona të ndeshet me francezët në 1/8 e Champions League. Ka disa javë që futbollistë të ekipit francez janë shprehur entuziastë për faktin që mund të luajnë me Messin nga sezoni i ardhshëm, madje edhe vetë drejtori sportiv i PSG, Leonardo, i ka hapur derën yllit të Barcelonës.
“Futbollistët e mëdhenj si Messi janë gjithmonë në listën e PSG. Për momentin, nuk është koha për të folur për këtë çështje. Por, jemi një prej klubeve të interesuara për të”, ka deklaruar disa javë më parë Leonardo.
Zërat për largimin e Messit nga Barcelona drejt Parisit kanë mërzitur shumë trajnerin e katalanasve Ronald Koeman, i cili të shtunën u shpreh: “Është mungesë respekti kjo që po bën PSG me Messin. Mbi të gjitha, kur jemi vetëm pak ditë përpara ndeshjes së Champions. Nuk më pëlqen kur një klub tjetër flet për lojtarin tonë”.