Revoltë te Ajax, futbollistët janë të pakënaqur me trajnerin Schreuder

Situata tek Ajax është e trazuar, që pas largimit të Erik ten Hag. Zëvendësuesi i tij, Alfred Schreuder është pranë shkarkimit për shkak të një revolte në dhomat e zhveshjes. 50-vjeçari mori drejtimin e skuadrës së njohur holandeze verën e kaluar, pasi Ten Hag u transferua te Manchester United. Por skuadra ka çaluar në rezultate, ndërsa nuk ka fituar në gjashtë sfidat e fundit.

Ajax gjendet në vend të pestë në renditje, pesë pikë larg kryesuesve të Feyenoord. Sipas gazetës holandeze “De Telegraaf”, gjatë një mbledhjeje, futbollistëve iu kërkua të ngrinin duart nëse mendonin se stafi ishte problemi për situatën aktuale.

Pavarësisht rebelimit të hapur ndaj 50-vjeçarit dhe stafit të tij, përfshirë edhe trajnerët e fitnesit dhe të portierëve, lojtarët pas barazimit të fundit ndaj Feyenoord-it 1-1 nuk lanë të nënkuptohet se tekniku duhet të shkarkohet.

SHKARKO APP