Rinovimet te bardheblutë për Champions

Bardheblutë e Tiranës janë rikthyer zyrtarisht si kampionë të Shqipërisë në futboll pas 11 vjetësh. Ky është titulli i 25-të për bardheblutë. Klubi i Tiranës po projekton skuadrën që do të konkurrojë në Champions League dhe për këtë bardheblutë kanë nisur nga rinovimet. Agustin Torrasa, mesfushori argjentinas do të jetë edhe për një tjetër sezon me kryeqytetasit. 31-vjeçari, një nga faktorët kyç të fitimit të titullit kampion, ka gjetur gjuhën e përbashkët me 25 kampionët e vendit dhe do të mbetet bardheblu edhe për vitin e ardhshëm.

Pak ditë më parë, Tirana konfirmoi qëndrimin edhe të mesfushorit afrikan Uinful Kobina, kontrata e të cilit skadon në fundin e vitit të ardhshëm. Albion Avidaj ndërkohë, blerja më e re e Tiranës iu bashkua grupit në stërvitje, ndërsa shihet si përforcim me shumë vlera për Kupat e Europës. Klubi i Tiranës u shpall matematikisht pak ditë më parë si kampionia e Kategorisë Superiore dhe trajneri i saj, Ndubuisi Egbo mori vëmendjen e shumë mediave botërore si drejtuesi i parë afrikan që do të drejtojë një klub në Champions League sezonin e ardhshëm.

Nga ana tjetër, presidenti i Tiranës, Refik Halili, tha më herët se “është një arritje e bërë falë një pune prej shumë kohësh, që fillon nga punëtori i fushës deri te presidenti. Jam shumë i gëzuar që arritëm t’i shtonim dhe një trofe klubit tonë. U bënë 25 tituj kampionë. Ka qenë një menaxhim më i mirë se çdo vit tjetër. Kemi pakësuar borxhet, që prej vitit 2015”. I pyetur për të ardhmen e teknikut Egbo, ai tha se është trajneri i parë i huaj që merr titullin kampion tek Tirana. “Ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm. Do të ulemi me Egbonë të bisedojmë se çfarë do të bëjmë për Ligën e Kampioneve. Nëse biem dakord vazhdojmë, nëse jo do të vazhdojmë me trajner tjetër”.

Në një intervistë të gjatë për BBC, Egbo rrëfeu për aventurën e tij në Shqipëri që nga koha kur nënshkroi për herë të parë kontratën si futbollist deri tek arritja më e fundit e fitimit të titullit kampion. Një vëmendje të veçantë në këtë intervistë të trajnerit nigerian që ka dhe pasaportë shqiptare ze dhe çështja e racizmit që për Egbo është një fenomen që ka përhapje të gjerë në Shqipëri. “Ka njerëz që nuk donin që unë të fitoja për shkak të ngjyrës time të lëkurës. Ka racizëm. Njëherë në një ndeshje më hodhën banane dhe Federata Shqiptare e Futbollit nuk bëri asgjë sepse bëhej fjalë për një ndjeshje jashtë fushe dhe kishte shumë fansa. As policia nuk reagoi sepse kishin frikë nga tifozët. Mu desh vetëm ta pranoja këtë gjë”.

Trajneri i Tiranës ka treguar se shpesh herë ka duruar dhe fyerje nga më të ndryshmet pasi njerëzit që i bënin ato nuk mendonin se ai dinte shqip. “Njëherë në një autobus dy burra pas meje bisedonin me njëri-tjetrin dhe thonin për mua që mund të jem i Al Kaedës. Iu ktheva dhe iu thashë “A do t’i jepni fund”. Nuk dinin ku të fshiheshin”.

SHKARKO APP