Risia e radhës në Champions League, një çmim special pas çdo ndeshje
Faza e 1/8-ve në Champions League vjen me risi. UEFA ka vendosur të përfshijë çmimin “Man of the matsh”, që do të dorëzohet për lojtarin më të mirë të çdo ndeshje.
Zgjedhja do të takojë vëzhguesve teknikë të organizmit më të rëndësishëm futbollistik europian në bazë të disa kritereve të përzgjedhjes: pjesëmarrja në momentet vendimtare; maturi taktike, kreativitet, inspirim, gjeste teknike, fair-play. Vëzhguesit teknikë të Uefa-s janë ish-futbollistë me një eksperiencë të madhe mbi supe në nivelet më të larta të futbollit.
Bëhet fjalë për irlandezin Pat Bonner (ish-portier); rumuni Cosmin Contra (ish-mbrojtës krahu); spanjolli Aitor Karanka (ish-qendërmbrojtës); irlandezi Robbie Keane (ish-sulmues); spanjolli Gines Melendez (trajner moshash); anglezi Phil Neville (ish-mbrojtës); austriaku Willi Ruttensteiner (drejtori sportive aktual i Kombëtares izraelite); anglezi Gareth Southgate (trajneri aktual i Anglisë).