Roma në Champions, fiton derbin me Lacion
Asnjë minutë lojë, madje as në stol nuk ishin dy lojtarë të kombëtares sonë, Etrit Berisha dhe Lorik Cana, të cilët e “shijuan” humbjen e fundit të skuadrës së tyre, në derbi ndaj Romës, larg fushës. Humbja e djeshme, e javës së parafundit nga ana e Lacios ka lëkundur ndjeshëm objektivin e kësaj skuadre. Lacio nuk mundi dot të fitonte finalen e Kupës së Italisë, duke humbur me Juven dhe pas kësaj ndeshje mundet edhe përballë rivalit të saj, Romës në Seria A. Roma fiton 2-1 derbin e kryeqytetit dhe siguron vendin e dytë me një biletë direkte për në fazën e grupeve të UEFA Champions League, duke i shkaktuar humbjen më dramatike Lazios, që tashmë i duhet ta luajë për një vend në këtë kompeticion në transfertë me Napolit, në ndeshjen e javës së fundit. Me këtë fitore, kur mbetet edhe java e fundit, Roma u ngjit në kuotën e 70 pikëve, duke lënë pas Lacion me katër pikë. Lacialët kanë vetëm tre pikë më tepër se Napoli, që do të thotë se në përballjen direkte me ta, duhet të mos humbin për të mbajtur vendin e tretë me qëllimin rikthimin në zonën Champions. Pas një pjese të parë të përgjumur që përfundoi në barazim pa gola, dy skuadrat u zgjuan në fraksionin e dytë të lojës, ku verdhekuqtë treguan më shumë dëshirë duke përfituar edhe nga gabimet e kundërshtarëve në fazën mbrojtëse. Ishte Klose ai që gaboi një gol pothuajse të sigurt në minutën e 5’, ndërsa verdhekuqtë mbyllën në mënyrë perfekte të gjitha hapësirat në mbrojtje, duke mos lëshuar terren në asnjë centimetër të fushës. Edhe pjesa e dytë nisi me të njëjtin ritëm, Lazio kërkoi të impononte aksionet sulmuese në gjysmëfushën e Romës. Skuadra e Garcias bllokoi çdo tentativë për të kundërsulmuar më pas me dyshen Iturbe-Florenzi. Ndeshja u zhbllokua në minutën e 73-të me autor Iturbe që la pas në sprint Bastën, për ta shtyrë topin në rrjetë. Reagimi i bardhkaltërve erdhi 8 minuta më vonë. Penelata e Felipe Anderson shkoi në kokën e Kloses së dhuroi një asist për Djordjeviç. Ndeshja u bë edhe më e çmendur në 4 minutat e fundit, kur Yanga Mbiëa goditi në mënyrë kirurgjikale me kokë duke vulosur fatin e derbit të Romës me verdhekuqtë të sigurt drejt Champions League. Por Lazio ka në dispozicion dy rezultate nga 3 për transfertën e “San Paolos” gjatë fundjavës, ndaj Napolit.
KOHA JONË SONDAZH

