Roma tjetër përmbysje heroike, por në finalen e Kievit shkon Liverpuli (VIDEO)
Liverpul-Real Madrid është zyrtarisht finalja e madhe e Kievit për sezonin 2017/18 në Ligën e Kampionëve. Ekipi i Jurgen Klop ka administruar më së miri fitoren e ndeshjes së parë (5-2), teksa në ndeshjen e kthimit janë mundur 4-2. Roma ndërkohë nuk ka arritur që të përsërisë përmbysjen spektakolare ndaj Barcelonës, por në fundin e ndeshjes për pak mund ta kishin çuar në shtesë. Dueli në fakt nisi në malore për skuadrën italiane. Liverpuli zhbllokoi ndeshjen që në minutën e 9-të. Firmino përfitoi nga një gabim i Naingolan duke i dhuruar topin Mane, i cili nuk fal përballë portierit Alison. Kundërpërgjigja e Romës është e menjëhershme, teksa pas 6 minutash gjejnë golin e barazimit. Mbrojtja angleze kërkon të largojë topin nga zona, por gjen kokën e Milner dhe më pas shkon në rrjetë. Liverpuli kaloi sërish në avantazh në minutën e 26-të.
Verdhekuqtë bëjnë një tjetër gabim në mbrojtje, teksa Xheko i ka dhuruar topin Vijnaldum, i cili nuk fal me kokë brenda zonës. Roma përpiqet që të reagojë me El Sharauin, i cili gjen shtyllën në minutën e 34-të. Pavarësisht mundësive të shumta për shënim, nuk do të ketë gol tjetër në 45 minutat e para. Në fillimin e pjesës së dytë, Roma barazon rezultatin në minutën e 52-të. El Sharaui bën një aksion mjaft të bukur nga krahu i majtë godet, por ndalet nga portieri Karius, ndërkohë që më pas topi shkon te Xheko, i cili nuk gabon. Në minutën e 60-të, Çengiz Under ishte shumë pranë golit të avantazhit, por prekja e lehtë e tij brenda zonës nuk ishte e mjaftueshme për të mposhtur portierin e ekipit anglez. Pas tre minutashverdhekuqtë ishin pranë golit me El Sharauin, teksa goditja e anësorit u ndal me dorë nga Arnold, por ishte një episod që nuk u pa nga gjyqtari. Liverpuli kundërpërgjigjet në minutën e 69-të me Firminon, i cili godet në hyrje të zonës nga një pozicion i prirët, por portieri Alison pret mjaft mirë.
Ekipi i Di Françeskos humbi besimin në minutat në vijim, duke hedhur në fushë futbollistë të rinj. Gjithsesi skuadra italiane gjeti golin e avantazhit në minutën e 86-të. Razha Naingolan realizoi një super gol pas një goditje nga distanca, duke mos i dhënë asnjë mundësi reagimi portierit Karius. Çudirat nuk mbarojnë këtu, pasi në minutën e tretë shtesë, ekipi italian fiton një 11-metërsh, që kthehet në gol nga Naingolan. Rezultati i përgjithshëm në të dyja ndeshjet është 7-6, duke dhuruar dy duele spektakolare, por vetëm Liverpuli do të luajë në finalen e madhe që do të luhet në Kiev më 26 maj. Për t’u evidentuar është edhe fakti që Liverpuli ka shënuar 46 gola gjatë këtij edicioni në Ligën e Kampionëve, duke vendosur një rekord. Më parë më shumë kishte shënuar Barcelona në sezonin 1999-2000, 45 gola.
KOHA JONË SONDAZH

