Ronaldo apo Messi? Statistikat japin përgjigjen e pyetjes së shekullit në futboll
Kush është më i mirë Lionel Messi apo Cristiano Ronaldo? Kjo është pyetja e shekullit që ka përplasur shpesh herë tifozët me njëri-tjetrin. Të shumtë janë ata që janë shumë të apasionuar pas veprimeve fantastike të argjentinasit, ndërkohë që të tjerët admirojnë shpirtin e garës dhe dëshirën e madhe të portugezit. Po le t’i hedhim një sy statistikave të dy prej futbollistëve më të mirë të shekullit duke i krahasuar me anë të statistikave.
Golat në gjithë karrierën e tyre: RONALDO 715 > MESSI 688
Cristiano Ronaldo ka shënuar më shumë gola në karrierë se sulmuesi argjentinas. Në total portugezi me tripletën ndaj Cagliarit ka arritur në shifrën e 715 golave në të gjitha ndeshjet zyrtare me klube dhe kombëtaren. “Pleshti” ndërkohë deri më tani ka shënuar 688 gola me Barcelonën dhe Argjentinën. Në këtë mënyrë CR7 për momentin është dukshëm përpara rivalit të tij edhe pse ka ndryshuar disa herë skuadër duke luajtur në Portugali, Angli, Spanjë dhe tashmë në Itali.
Golat për klube: RONALDO 616 < MESSI 618
Lionel Messi edhe pse në numrin total të golave qëndron disi pas, ai në fakt në statistikat për klube ka shënuar deri më tani 2 gola më shumë se rivali i tij. Portugezi në këtë aspekt mund të jetë penalizuar disi edhe nga ndryshimi i skuadrave dhe përshtatja në ekipe të ndryshme, ndërkohë që Messi ka qëndruar me të njëjtën grup lojtarësh gjatë gjithë karrierës.
Golat në kampionat: RONALDO 432 = MESSI 432
Dy nga futbollistët më të mirë të historisë së futbollit kanë dominuar gjithçka në vitet e fundit, duke shënuar një numër të frikshëm golash. Një detaj shumë interesant i bashkon të dy: Kanë shënuar të njëjtën numër golash në kampionat 432.
Golat në Champions League: RONALDO 128 > MESSI 114
Cristiano Ronaldo në kompeticionin më të rëndësishëm për klube është i papërmbajtshëm. Sulmuesi portugez ka shënuar 128 gola deri më tani, duke qenë plotë 14 gola para rivalit të tij. Ai është golashënuesi më i mirë në historinë e këtij kompeticioni, teksa për shumë vite ka arritur që të ndihmojë Realin që të fitojë 3 herë radhazi Championsin.
Golat me kombëtaret: RONALDO 99 > MESSI 70
Sulmuesi argjentinas me kombëtaren luzitane ka arritur që të jetë më vendimtar duke e ndihmuar edhe në fitimin e Europianit të vitit 2016. Ronaldo deri më tani ka shënuar 99 gola në ndeshjet zyrtare, ndërkohë që argjentinasi ka shënuar vetëm 70 me kombëtaren e tij.
Asist: RONALDO 219 < Messi 282
Një nga karakteristikat më të mira të sulmuesit argjentinas është padyshim altruizmi. Krejt ndryshe nga rivali i tij, ai “La Pulce” në shumë ndeshje i jep mundësinë shokëve të ekipit që të shënojnë kur janë në një pozicion më të favorshëm. Edhe portugezi nuk qëndron shumë pas në statistikat për asistent, por në këtë rast duket se dueli shkon dukshëm për sulmuesin e Barcelonës. /Rozalb Lika-Koha Jone/