Ronaldo firmos kontratën më të shtrenjtë në histori, fiton për një muaj sa Messi gjithë vitin
Cristiano Ronaldo do të vazhdojë aventurën e tij në Arabinë Saudite. Legjenda portugeze ka firmosur një kontratë të re me klubin Al Nassr, duke zgjatur qëndrimin e tij deri në vitin 2027. Edhe pse mungoi në Botërorin për Klube, çka kishte shtuar dyshimet mbi të ardhmen e tij, “CR7” ka zgjedhur t’i qëndrojë besnik klubit që i hapi dyert pas largimit nga Europa, dhe jo vetëm kaq: e ka bërë me një kontratë që theu çdo rekord financiar në botën e sportit.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, Ronaldo do të përfitojë një shifër marramendëse prej 200 milionë eurosh në vit, vetëm si pagë si futbollist. Kjo shifër plotësohet nga 60 milionë euro shtesë nga të drejtat e imazhit, duke e çuar përfitimin total në rreth 260 milionë euro në vit – ose 16,7 milionë euro në muaj, që i bie rreth 550 mijë euro në ditë.
Por nuk ndalet këtu: në momentin e firmës, Ronaldo ka përfituar një bonus mirënjohjeje prej 30 milionë eurosh, ndërsa kontrata përfshin edhe 90.000 euro për çdo gol të realizuar, si dhe një sërë bonusesh të tjera që e bëjnë këtë marrëveshje thuajse unike në historinë e sportit profesionist.
Në marrëveshjen e re është përfshirë gjithashtu edhe 15% e aksioneve të klubit Al Nassr, si dhe 5,5 milionë euro në vit për shpenzime të dedikuara për avionin e tij privat dhe gjithë stafin personal që kujdeset për familjen e tij.
Krahasuar me rivalin e tij historik, Lionel Messi, i cili përfiton rreth 17,6 milionë euro në vit te Inter Miami, Ronaldo fiton më shumë brenda një muaji sesa Messi në gjithë vitin.
KOHA JONË SONDAZH

