Ronaldo është golashënuesi më i mirë në historinë e futbollit, e uron edhe Reali
Cristiano Ronaldo tashmë është golashënuesi më i mirë në historinë e futbollit sipas të dhënave të “Marca-s”. Ylli portugez të martën në mbrëmje shënoi dy herë në gjysmëfinalen ndaj Interit, golat që janë të 762 dhe 763 në karrierën e tij. Sipas gazetës iberike Pele dhe Josef Bican kanë shënuar 762 gola zyrtarë në karrierën e tyre. Nuk janë të pakta teoritë që ata kanë shënuar edhe më shumë gola, teksa për Bican thuhet se ai ka shënuar rreth 805 gola zyrtar.
Për të kaluar të Ronaldo, në fakt shifrat e tij janë të pakundërshtueshme. CR7 ka shënuar 31 gola me Sportingun, 118 me Manchester United, 451 me Real Madridin, ndërkohë që deri të martën ka realizuar 87 me fanellën e Juventusit. Me kombëtaren e Portugalisë deri më tani ka gjetur 102 herë rrugën e rrjetës.
Tashmë Ronaldo, sipas gazetës së njohur spanjolle, mund të cilësohet zyrtarisht si lojtari më i mirë në histori. I vetmi futbollist aktiv që mund ta rivalizojë portugezin është Lionel Messi, i cili për momentin mban vendin e katërt me 720 gola zyrtarë.
Për këtë arritje ka reaguar Reali përmes një postimi duke e uruar Ronaldon në rrjetet sociale: “Golashënuesi më i mirë në histori të klubit tonë dhe tash në botën e futbollit. Urime, Cristiano”. Federata Çeke e Futbollit ka reaguar duke thënë se ai ka shënuar 821 gola.
Në anën tjetër, Pele disa javë më parë kishte përditësuar të dhënat e tij duke deklaruar se ka shënuar 1.283 gola gjatë karrierës si futbollist. Shifra që në fakt kanë shkaktuar shumë kontradikta, por Ronaldo ka ende shumë ndeshje përpara për të realizuar edhe mbi 800 gola. Të premten do të mbushë 36 vjeç, por për portugezin mosha nuk është një problem, duke parë formën e tij fizike. /Rozalb Lika-Koha Jone/