Ronaldo i tërbuar me Juventusin, mendon largimin në fundin e sezonit
Humbja e finales së Kupës së Italisë është zhgënjimi i dytë i madh për Ronaldon dhe Juventusin këtë sezon. Skuadra italiane u mund nga Napoli në ruletin e penalltive, pasi 90 minutat u mbyllën në barazim pa gola. Dybala dhe Danilo gabuan në ekzekutimet e tyre, ndërkohë që napolitanët i shënuan të gjitha penalltitë. Ronaldo, i cili ishte i pesti në radhë për të goditur te skuadra torineze, as nuk pati shansin që ta gjuante. Ky ishte trofeu i dytë i humbur gjatë këtij sezoni, teksa në dhjetor, humbën 3-1 ndaj Lazios. Zhgënjimi te CR7 është i madh.
5 herë fituesi i “Topit të Artë” sipas “Diario Gol”shpreson ende te sukseset në Seria A dhe Champions League, pasi në të kundërt do të mendojë seriozisht një destinacion të ri në fundin e këtij sezoni. Portugezi e sheh Juventusin si zgjedhjen perfekte për të lënë gjurmë si te Manchester United dhe Real Madrid, por deri më tani nuk ka pasur mbështetjen e duhur.
Pavarësisht se ka ende edhe dy vite kontratë me kampionët e Italisë, pakënaqësitë e tij sidomos këtë sezon, kanë qenë të mëdha. Ai dëshiron që t’i përkushtohet një tjetër projekti në të ardhmen, për të fituar sërish “Topin e Artë”. Për momentin dy janë mundësitë më të mëdha.
Së pari është një rikthim te Manchester United, skuadra ku ai u bë i njohur në futbollin evropian dhe ku tregoi talentin e madh që ka. Skuadra britanike është e gatshme që të investojë nëse shifrat nuk do të jenë stratosferikë. Portugezi mund të mendojë edhe për një aventurë te PSG-ja, skuadër e cila e ka kërkuar prej kohësh.
Ronaldo do të kishte mundësinë për të luajtur me shumë yje në krahë dhe për të tentuar sërish suksesin në Champions League. Juventus duhet të nxitojë që të vendos në vijë gjërat në Torino, nëse nuk dëshiron që të humbasë një nga dy futbollistët më të mirë në botën e futbollit në fundin e këtij sezoni. /Rozalb Lika-Koha Jone/