Rrëfimi i Olayinka-s: Për pak sa nuk luajta me Shqipërinë, por atje ishin të gjithë të bardhë
Një nga bomberat më të spikatur në këtë sezon te skuadra e Slavias së Pragës është padyshim Peter Olayinka, teksa arriti që të bënte një paraqitje fantastike ndaj Interit dhe Barcelonës. Sulmuesi i njohur, i cili ka luajtur në Shqipëri me Skënderbeu në sezonet nga 2014 deri më 2016, në një rrëfim për “Eaglestrackerng”, kaq zbuluar se për shumë pak mund të kishte zgjedhur kombëtaren shqiptare.
Ai është ftuar nga Nigeria në ndeshjet e fundit për kualifikueset e Kupës së Afrikës për vitin 2021. 16 gola në 33 ndeshje, bënë që interesimi i tifozëve për ta pasur pjesë të kombëtares sonë të shtohej së tepërmi, por një gjë e tillë nuk do të ndodhte.
“Kisha një sezon shumë të mirë në Shqipëri, aq sa u bë një debat në opinionin publik”, zbulon fillimisht 23-vjeçari.
“Shqiptarët donin që unë të natyralizohesha dhe të luaja për vendin e tyre. Ata më donin dhe u përpoqën që të më afronin me ekipin kombëtare. Ata ishin të gjithë të bardhë, nuk janë një vend anglisht-folës. Ishte një debat masiv atëherë në gazeta dhe në rrugë. Ishte një sezon shumë i mirë për mua”, deklaroi Olayinka, duke nënkuptuar se mund të kishte paragjykime për ngjyrën e tij të lëkurës.
Sulmuesi i njohur u transferua në Belgjikë në vitin 2016 te skuadra e KAA Gent, ndërkohë që nga vera e vitit të kaluar u transferua te Slavia e Pragës, pas huazimeve te Dukla Prague dhe Zulte Waregem. Olayinka po spikat në Champions League gjatë këtij sezoni duke qenë një ndër më të mirët edhe pse ka pasur rivalë të vështirë si Dortmund, Barcelona dhe Interi, por ai nuk ka aspak frikë nga sfidat. Në “Camp Nou” tregoi se është një futbollist që mund të japë shumë edhe në nivele të larta. Me Nigerinë deri më tani ka luajtur vetëm një minutë, por kjo i jep fund shpresave për ta parë një ditë me fanellën kuqezi. /Rozalb Lika-Koha Jone/