Rrëfimi i Pogba: Jemi larg nivelit të Liverpoolit, e urrej të qëndroj në stol!
Paul Pogba pranon se Manchester United nuk është ende në të njëjtin nivel me kampionët e Premier League Liverpoolin, para super ndeshjes që do të luhet të dielën në “Anfield”. Djajtë e Kuq në fakt janë në krye të renditjes me 3 pikë më shumë se rivalët e tyre, por mesfushori francez e sheh duelin e radhës si shumë të rëndësishëm. Në intervistën për “Sky Sports” Pogba analizon gjendjen e Manchester United.
“Ne jemi përmirësuar shumë, vazhdojmë të përmirësohemi por kemi akoma një ekip shumë të ri. Padyshim që nuk mund të themi se tani jemi në të njëjtin nivel me ta sepse Liverpooli janë fituesit në fuqi dhe vijojnë të jenë triumfues, ndaj them se nuk jemi në nivelin e tyre. Nëse doni të jeni më të mirët, duhet të mposhtni më të mirët. Ne duam të mposhtim fituesit e Premier League.
I dimë cilësitë e tyre dhe se si luajnë. Ka qenë gjithmonë një ndeshje e vështirë. Mendoj se mund të fitojmë nëse do të jemi të fokusuar, por ka shumë ekipe që mund ta bëjnë një gjë të tillë. Për momentin nuk jemi atje, jemi ende shumë larg.
Përqendrohem te vetja për të dhënë më të mirën. Luaj në të majtë, djathtë, në mes, si sulmues, mbrojtës, sa herë që jam në fushë bëj më të mirën për ekipin. E urrej që të qëndroj në stol. Kjo nuk do të thotë se lojtarët e tjerë nuk e meritojnë të luajnë, por mua nuk më pëlqen. Jam fitues dhe dua thjesht të luaj futboll. Sezoni i fundit ishte shumë i vështirë për mua, luajta pak dhe u dëmtova”, deklaroi Pogba për kanalin e njohur anglez. /R.Lika-Koha Jone/