Rrëfimi i Strakoshës: Afrimi i Reinës nuk më shqetëson, Championsi një ëndërr!
Reina është afrimi më i ri te skuadra e Lazios, po në portë titullar mbetet Thomas Strakosha. Portieri shqiptar po bëhet gati për të përjetuar sezonin e katërt si numri një i bardhekalëtërve. Ardhja e në gardiani me emër nuk e shqetëson.
“Jam i lumtur që ai është këtu. Do përpiqem që t’i vjedh punën. Është jë kampion i madh, kam shumë për të mësuar prej tij, për mua është fat. Reina ka shumë eksperiencë, është shumë e rëndësishme që ta kemi në dhomat e zhveshjes”.
Ëndrra Champions – Ky sezon do të shënjojë rikthimin e Lazios në Champions League pas 13 vitesh. Për Strakoshën do të jetë një debutim absolut në kompeticionin më të rëndësishëm për klube: “Të dëgjosh atë muzikë do të jetë magjike. Kishim vite që e prisnim dhe tashmë më në fund do të kemi mundësinë që të përjetojmë atë atmosferë unike që vetëm Championsi mund ta dhurojë. Të luash në atë kompeticion është ëndërr. Me siguri që do të jemi gati”.
Përgatitjet – Për të qenë sa më gati në tetor, kur Championsi do të nis, duhet të stërvitesh sa më shumë. “Po stërvitemi shumë mirë në Auronzo, edhe pse pa tifozë nuk është e lehtë. Që në stërvitjet e para, i kam parë shokët e ekipit të motivuar dhe të karikuar. Çdo vit kërkojmë që të përmirësohemi dhe të shtojmë sa më shumë objektivat. Do të jetë kështu edhe këtë vit. Vitin e kaluar kishim mbrojtjen më të mirë në Seria A, por më pas gjërat nuk është se shkuan mirë. Do të kërkojmë që të bëjmë më të mirën në kampionat. Eksperienca që kemi akumuluar do të jetë një bazë e mirë për rinisjen”. /R.Lika-Koha Jone/