Sa do të kushtojnë Lojërat Olimpike 2020, moti shkakton “ngërç” në Tokio

Organizatorët e Lojërave Olimpike që do të mbahen më 2020 në Tokio nuk kanë vendosur ende se kush do të paguajë për mbajtjen e maratonës së vrapimit në qytetin verior, Saporo.

Ata kanë thënë se këto Lojëra pritet të kushtojnë 1.35 trilion yen ose 12.6 miliardë dollarë, mirëpo nuk kanë përfshirë 3 miliardë yen që nevojiten për organizimin e këtyre garave në Saporo për shkak të motit të nxehtë në Tokio.

“Për shpenzimet shtesë, natyrisht ne na duhet të diskutojmë me Komitetin”, ka thënë drejtori për financa i këtij organizimi, Gakuji Ito.

Ai ka thënë mes tjerash, se vendimi për këtë çështje do të merret vitin e ardhshëm, teksa buxheti për organizimin e Lojërave Olimpike është i ndarë në mes të komitetit organizativ dhe qeverive, lokale e nacionale.

Kujtojmë se Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka habitur organizatorët e Lojërave Olimpike në muajin tetor, kur ka njoftuar se maratona duhet të bëhet në Saporo për shkak të verës me të nxehtë me të cilën mund të përballet Tokio.

Lojërat Olimpike Tokio 2020 do të mbahen nga 24 korriku deri më 9 gusht.

SHKARKO APP