Sacchi: Atalanta si Milani im, një mësim për të gjithë ekipet italiane

Arrigo Sacchi ka folur për sezonin fantastik të Atalantës në një intervistë që ka dhënë së fundmi për “Gazzetta dello Sport”. Ish-trajneri i njohur e krahasoi me Milanin e periudhës kur ai bëri historinë në futboll, duke mos i kursyer elozhet për trajnerin Gasperini, i cili sipas tij ka ndërtuar një faqe të bukur të futbollit italian.

“Të gjithë janë të integruar në lojën e Gasperinit, në çdo moment të ndeshjes, edhe kur gjërat shkojnë keq, gjejnë zgjidhjen e duhur. Lëvizin në mënyrë kompakte dhe organike, janë gjithmonë të bashkuar dhe dyfishojnë mbulimin e kundërshtarëve duke e bërë presingun më të thjeshtë. Kanë entuziazëm dhe kurajo.

Atalanta është një mësim që duhet ta studiojnë të gjitha ekipet italiane, nëse është e mundur dhe ta memorizojnë. Historia e tyre vjen nga larg, investime të duhura, kujdes për sektorin e të rinjve, klubi në sintoni me pjesën teknike. Duke punuar në këtë mënyrë  Atalanta dhe Bergamo kaluan momente të vështira, tani e kanë kthyer në stimul për t’u përmirësuar.

Në çdo aksion taktik, Gasperini ka një strategji, ka një plan afatgjatë. Me punë e tij ka bërë që djemtë e tij të lëvizin në mënyrën e duhur në fushë. Shpirti i sakrificës, përulja dhe përkushtimi në punim, nuk janë rastësi. Te Atalanta vrapojnë të gjithë, nuk ka asnjë që nuk vrapon, apo që qëndron në pritje. Të gjithë lëvizin në mënyrë aktive.

Nuk ka kampion të Atalanta, po ka futbollist me shumë talent si Ilicic dhe Papu Gomez, Edhe te Milani ishte Gullit, Baresi dhe Van Basten që vepronin në funksion të ekipit. Gasperini i dhuron vetëm lumturi futbollit italian, për të formuar një kulturë ndërkombëtare. Atalanta po shkruan një histori të bukur futbolli. Unë kurrë nuk do të lodhesha së lexuari”, u shpreh Sacchi. /R.Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP