Sami Khedira, një hap larg Juves
Juventusi dhe Sami Khedira janë më pranë se kurrë. Në fakt, e vetmja pengesë për momentin është vizita mjekësore, që për bardhezinjtë është mëse e domosdoshme, duke patur parasysh ndalesat e gjata të mesfushorit nga problemet fizike.
Në Champions League, drejtuesit e Zonjës së Vjetër nuk patën mundësinë ta ndjekin nga afër gjermanin, pasi në të dyja takimet me Juven, Khedira nuk luajti për asnjë minutë të vetme, edhe pse Ancelottit i mungonte Modriç. Me kontratën drejt skadencës dhe rinovimin që dështoi, mesfushori e ka të sigurt lamtumirën nga Bernabeu, ndaj Juventusi kërkon të përfitojë shërbimet e një lojtari klasi me kosto zero. Takimi i agjentit të Khediras me përfaqësues të kampionëve të Italisë është vetëm çështje ditësh, për të mos thënë orësh. Gjithçka është bërë gati që ky transferim të ndodhë.
Për shërbimet e tij, Juventusi është i gatshëm t’i ofrojë Khediras një kontratë 3-vjeçare me pagë 4 milionë Euro për sezon, që mund të shkojë edhe më shumë në varësi të bonuseve. Objektivi siç raportojnë mediat italiane është që negociatat të finalizohen sa më shpejt, mundësisht para finales së Championsit me Barcelonën, që luhet më 6 Qershor.
KOHA JONË SONDAZH

