Sarri: Atalanta si të shkosh te dentisti, shorti i Championsit s’më intereson!

Trajneri i Juventusit, Maurizio Sarri e cilëson sfidën ndaj Atalantës si një provë shumë të rëndësishme. Strategu italian ka cituar kolegun e tij, Pep Guardiola, i cili e cilësoi si një provë ku shkon te dentisti për të parë “defektet”.

“Jemi në një fazë të rëndësishme të sezonit dhe Atalanta duhet të konsiderohet një realitet tani, po bën shumë mirë dhe ka numër shumë të lartë golash e fitoresh, veçanërisht larg shtëpisë. Një kundërshtar shumë i vështirë, por ka qenë për ca kohë tashmë. Përkufizimi më i mirë për Atalantën është ai që ka dhënë Guardiola: është si të shkosh tek dentisti, gjithmonë vuan.

Humbja me Milanin? E paralizuam veten me gabimin e dytë dhe nuk mendoj se problemi ynë është i karakterit fizik. Edhe me Dybala, që është talent absolut, do të kishim humbur. Ndryshime në formacion? Le të shohim, ka pasur disa me probleme, por të gjithë janë të rikuperueshëm.

Shorti i Championsit? Nuk dua ta komentoj, nuk më intereson. Duhet të përqendrohemi te kampionati dhe më pas te Lyon, nuk duam të shpenzojmë kot energjitë”, u shpreh Sarri.

SHKARKO APP