Sarri: Nuk shoh tabelën e renditjes, Barcelona s’duhet të flasë për Pjanic

Juventus kërkon të përfitojë në maksimum nga ndalesa e Interit dhe Lazios për të filluar shkëputjen në renditjen e Seria A. Klubi bardhezi do të presë të premten në mbrëmje Leccen, teksa trajneri Maurizio Sarri përpiqet që të shohë më mirë “hallet në shtëpinë e tij”.

“Nuk e pashë Interin, po punoja. Pash pak vetëm Atalanta-Lazio. Ne duhet të shohim rezultatet tona dhe pak të kundërshtarëve. Në këtë moment nuk kemi ndonjë avantazh të konsiderueshëm. Janë 33 pikë në lojë, duhet të marrim nga 3 pikë për ndeshje. Duhet të përqendrohemi vetëm në ndeshjen e ardhshme, pa parë tabelën.

Lecce? Në këtë moment të gjitha ndeshjet janë të vështira. Duhet të jemi në ritmin e lojës, Lecce luan mirë futboll dhe ka rezultate shumë të mira në transfertë.

Pjanic dhe Arthur? Pjanic është komplet në dispozicion të ekipit, po rritet. E kam gjithmonë në konsideratë. Për Arthur nuk dua të flas, është futbollist i Barcelonës. Nuk më pëlqen që ata flasin për Pjanic. Nuk dua të flas”, u shpreh Sarri.

Juventus mund të rikuperojë Ramsey-in dhe Higuain, ndërkohë që Bernandeschi mund të konfirmohet sërish titullar pas provës së mirë ndaj Bolognës. /R.Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP