Sensi dëmtohet dhe humbet Europianin, Mancini fton talentin e Atalantës

Stefano Sensi nuk gjen paqe as në kombëtare. Mesfushori Italian pësoi tendosje të muskujve në seancën e fundit stërvitore në kuadër të përgatitjeve për miqësoren kundër Republikës Çeke. Ky lëndim e detyron lojtarin e Interit të kthehet në shtëpi dhe të heqë dorë nga Euro 2020.

Sensi duhet të qëndrojë në kampin stërvitor të Italisë deri të premten në mëngjes, teksa do t’u nënshtrohet kontrolleve të mëtejshme dhe më pas do të largohet nga grupi.

Mancini, në konferencën për shtyp, kishte njoftuar praninë e Sensit në formacionin startues ndaj Çekisë dhe tani ai do të duhet të rishikojë zgjedhjet e tij. Me Verrattin ende të padisponueshëm, në mesfushë do të luajnë Cristante, Jorginho, Locatelli dhe Pellegrini.

Dëmtimi i Sensit do ta detyrojë trajnerin të rishikojë zgjedhjet e tij dhe të rikuperojë Pessina-n, që fillimisht u la jashtë listës për Kampionatin Evropian.

SHKARKO APP