Seria A më e ngjeshur se kurrë, 5 skuadra në luftë për katër vendet e para
Serie A e këtij sezoni po ofron një ekuilibër të rrallë, ndoshta si kurrë më parë. Si në lojën e famshme të karrigeve, ka pesë skuadra në garë për titullin, por në fund vetëm katër do të sigurojnë Champions League: njëra do të festojë titullinjk, tri të tjera do të mund ta quajnë sezonin të suksesshëm falë objektivit evropian, ndërsa njëra do të mbetet me zhgënjim dhe plagë për të lëpirë.
Aktualisht, diferencat janë minimale: mes Interit kryesues dhe Juventusit të vendit të pestë ka vetëm 4 pikë diferencë, edhe pse bardhezinjtë kanë një ndeshje më shumë. Në mes janë Milani (-1), Napoli (-2) dhe Roma (-3) nga kreu. Një renditje e ngjeshur që e bën thuajse të pamundur parashikimin e skenarëve.
Të gjitha skuadrat në krye kanë treguar cilësi, por edhe dobësi, duke e bërë çdo javë të paparashikueshme. Pikërisht kjo shpjegon edhe një tjetër të dhënë domethënëse: 36 pikë pas 16 javësh, shifra më e ulët për kryesuesen në 10 vitet e fundit të Serie A.
Sipas këtij ritmi, Scudetto mund të fitohet me 82–85 pikë, një prag relativisht i ulët, që siç ka theksuar edhe Allegri mban gjallë shpresat e të gjithëve.
Epokat e dominimit absolut duken larg: Juventusi “kanibal”, Napoli i Spallettit apo Interi i Inzaghit i yllit të dytë janë tashmë kujtime. Sot, edhe kush kryeson, gabon. Statistikat e konfirmojnë këtë ndjesi: Interi dhe Napoli kanë nga 4 humbje, Roma plot 6, ndërsa vetëm Milani ka një bilanc “titulli” me vetëm 1 humbje, por e kompenson me shumë barazime (5). Interi dhe Roma nuk kanë ende asnjë barazim, Napoli vetëm një.
Sa i përket zonës Champions, parashikimet flasin për një prag mes 73 dhe 75 pikëve për vendin e katërt. Sipas mbi 10 mijë simulimeve të platformës Football Meets Data, Interi (97%), Milani (80%) dhe Napoli (80%) janë pothuajse të sigurt për pjesëmarrje në fazën e re të Champions League.
Beteja e vërtetë është për biletën e fundit: Juventusi (56%) dhe Roma (54%) janë në një duel milimetrik. Megjithatë, gjithçka mbetet e paqartë: një hap fals në një javë të favorshme për rivalët mund të përmbysë gjithçka.
Në një kampionat që shpesh akuzohet për mungesë talentesh, ky ekuilibër ekstrem është pikërisht ajo që e bën Serie A kaq tërheqëse. Një garë ku askush nuk dominon dhe ku çdo javë mund të ndryshojë historia.
KOHA JONË SONDAZH

