Setien: Messi dhe Barcelona gjithmonë bashkë, Lautaro i shkëlqyer
Lautaro Martínez është një nga objektivat kryesorë të Barcelonës për këtë verë. Sekretari teknik i Barça, Eric Abidal, dhe bordi drejtues e dinë që Luis Suárez ka nevojë për konkurrencë, veçanërisht duke marrë parasysh faktin që uruguaiani është tashmë 33 vjeç.
I zgjedhuri, siç ka raportuar “El Mundo Deportivo”, është Lautaro Martínez, të cilin trajneri i Barçës, Quique Setién, e lavdëron në një intervistë të botuar këtë të premte nga “Gazzetta dello Sport”. Setien nuk e fsheh admirimin për sulmuesin aktual të Interit, i cili ka klauzolë largimi 111 milionë euro.
“Lautaro Martínez është një lojtar i shkëlqyeshëm. Po sikur ta dojë Messi? Do të ishte e nevojshme ta pyesnit atë. Të gjithë lojtarët e mirë mund të ngjallin interesin e Barcelonës. Për çdo lojtar është krenari të luajë krah Leo Messi.
Messi nuk do të largohet. Ai dhe Barcelona do të jenë gjithmonë bashkë. Kështu është. Leo ka qenë te Barcelona për 20 vjet dhe askush nuk mund ta shpjegojë një ndarje. Është normale edhe në klube të mëdha të ketë konflikte, por ato zgjidhen “, deklaroi Setien.