Sfida me Kukësin, Josa: Nuk ndryshoj skemën për një lojtar. Vllaznia duhet të rregullojë diçka
Trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa, thotë se sfida me Kukësin është shumë e rëndësishme, ndërsa nënvizon edhe se shkodranët duhet të rrisin stabilitetin. Për Liridon Latifin, Josa deklaroi se lojtarit do i duhet kohë për të ardhur në gjendjen e tij optimale.
”Unë nuk do ta shoh ndeshjen me momente, do ta shoh ndeshjen që luhet Kukësi-Vllaznia, ndeshje shumë e rëndësishme për të dy skuadrat siç është edhe ndeshja e kampionatit për secilën skuadër, duke parë klasifikimin siç është ngjeshur në këtë mënyrë. Kampionatin nuk mund ta quaj të dobët, por që ka rivalitet. Të gjithë ekipet kanë mësuar të luajnë futboll, lojtarët duket që janë më të ndërgjegjshëm për atë që japin në fushë, duke parë të gjitha skuadrat në përgjithësi. Ndaj do të jemi në këto ujëra gjatë të gjithë kampionatit. Problemi është që duhet të rritim stabilitetin tonë se personalitetin si skuadër e ka Vllaznia. Por duhet të rritet besimi te individualitetet që ka kjo skuadër dhe të rritësh besimin është diçka shumë e lehtë, rritet qoftë me lojë, punë, stërvitje, duke bërë të gjithë gjërat që ne themi”.
Nga ana tjetër, i pyetur për Kristjan Vulajn, Josa u shpreh se nuk e ndryshon skemën vetëm për një lojtar dhe kjo nuk do të ndodhë kurrë.
”Vulaj ka luajtur në ndeshjen e fundit me Flamurtarin dhe ka qenë në formacion, mua nuk më intereson nëse është Kupë apo nëse është kampionat. Skuadrën e kemi parë që ka qenë e plotë edhe në ndeshjen me Flamurtarin, këto janë mendimet e mia sa i përket Vulajt dhe skuadrës, sepse unë nuk mendoj për individin, por për skuadrën.
Nuk ndërroj sistem loje dhe ta dini edhe këtë, po ua them edhe këtë që të mos e prekim më këtë temë. Nuk ndërroj një sistem loje sepse një lojtar luan në atë mënyrë. Nëse lojtari i përshtatet sistemit të lojës që ne kemi bërë zgjedhjen e lojtarëve në fillim, atëherë bujrum, jo Vulaj, por kushdo qoftë do të jetë në lojë. Kjo është një temë që mua më shqetëson se është një lojtar që paguhet dhe është paguar që në fillim mirë nga presidenti”.