Sfida me Linfield në Irlandën e Veriut, Memelli: Kundërshtar i fortë, por jemi përgatitur për këtë takim
Nesër (e enjte) Vllaznia do të përballet me Linfield në Irlandën e Veriut, në sfidën që shkon për llogari të turit të parë të Conference League. Tekniku i shkodranëve, Migen Memelli në konferencën për shtyp theksoi se është optimist për një paraqitje të mirë. Ai tha se kundërshtari është i fortë, por ajo që ka parë tek djemtë është përkushtimi i tyre dhe nisur nga ky fakt, beson që çdo gjë do të shkoj mirë në fushën e lojës.
“Përpos emocioneve, ajo që vlerësojmë është përgatitja e madhe që ka bërë skuadra në këto 30 ditë. Djemtë kanë pasur një përkushtim të një niveli të lartë. E parë kjo në këndvështrimin tonë, nesër besojmë se do të bëjmë një performancë shumë të mirë. Ajo ç’ka më lind të them është se djemtë kanë punuar shumë mirë dhe jemi këtu për të bërë gjërat e duhura që në fund të gjithçka të vlerësojmë dhe të kemi qartësinë në këtë 90 minutësh të parë.
Kundërshtarin e njohim, por duhet pasur parasysh që ndeshja e parë është një fillim i mirë për të shkuar pastaj te ndeshja e dytë. Kemi punuar shumë në terren, kundërshtari është i fortë siç e thashë, nuk dua të zbuloj më tepër. Ajo ç’ka kam parë te djemtë është përkushtimi i tyre dhe nisur nga ky fakt, besoj që çdo gjë do të shkoj mirë në fushën e lojës.
Miqësoret kanë mjaftuar me pjesën e njohjes së skuadrës me elementët që ka skuadra sot. Kemi një skuadër 70-80 përqind të re. Një skuadër tek e cila besojmë dhe elementët që janë afruar janë cilësor. Përpos kësaj besoj që djemtë do të bëjnë shumë mirë, ekipi është drejt konsolidimit dhe duke parë edhe miqësoret në fazë përgatitore, na jep besimin se gjërat do të shkojnë mirë”,-tha ai.