Sfida Rumani-Norvegji anulohet pas një rasti me Covid-19 te nordikët
Rumani-Norvegji nuk do të luhet. UEFA ka njoftuar se ndeshja e Nations League në program sonte është anuluar pasi autoritetet norvegjeze kanë vendosur të ndalojnë udhëtimin e kombëtares në Bukuresht për shkak të një rasti me Covid.
Mbrojtësi Omar Elabdellaoui, që luan me Galatasaray, ka rezultuar pozitiv me Coronavirus e ministri i Shëndetit i ka kërkuar Federatës të respektojë rregullat e karantinës, që rekomandojnë izolimin.
Norvegjia rrezikon tani humbjen 3-0 në tavolinë: nuk ka data të mundshme në kalendarin ndërkombëtar për të rikuperuar sfidën. UEFA ka deklaruar se e ka dërguar rastin në komisionin e saj të disiplinës.
Norvegjia është aktualisht me pikë të barabarta me Austrinë në krye të grupit të tyre në Ligën B. Nordikët do ta luajnë ndeshjen e fundit të Nations League të mërkurën kundër Austrisë. Në një letër për ministrin, publikuar në faqen zyrtare, Federata ka pranuar se i frikësohet “pasojave për mungesën e pjesëmarrjes në këto ndeshje”.