Shefi i arbitrave në Itali e pranon gabimin e gjyqtarit, pritet të pezullohet për 1 muaj
Një ditë pas ndeshjes Inter-Juventus, ka reaguar edhe drejtuesi i arbitrave italianë Gianluca Rocchi, duke komentuar episodin që ndikoi ndjeshëm në lojë: përjashtimin e Kalulu pas kartonit të dytë të verdhë në kontaktin me Bastoni.
Në një deklaratë për ANSA, Rocchi pranoi hapur gabimin: “Na vjen shumë keq për episodin, si për vendimin e Federico La Penna, që është qartësisht i gabuar, ashtu edhe për faktin që VAR-i nuk mundi të përdorej për ta korrigjuar”.
Megjithatë, kreu i arbitrave theksoi se përgjegjësia nuk bie vetëm mbi gjyqtarin. Sipas tij, në atë situatë pati edhe simulim nga kundërshtari.
“La Penna është i zhgënjyer dhe ne i qëndrojmë pranë, por duhet të them të vërtetën: ai nuk është i vetmi që gaboi, sepse dje pati një simulim të qartë. Është vetëm i fundit i një serie të gjatë në një kampionat ku përpiqen në çdo mënyrë të na mashtrojnë”, deklaroi Rocchi.
Ai u ndal edhe te marrëdhënia mes arbitrave dhe skuadrave, duke kritikuar qëndrimin e klubeve dhe trajnerëve.
“Trajnerët nuk na kanë ndihmuar kurrë, përkundrazi na kanë vënë në vështirësi. Ne jemi gjithmonë shkarkimi i fundit i të gjithëve. Dimë të marrim përgjegjësitë tona kur gabojmë, por askush nuk na mbron. Jemi të vetmit që pranojmë publikisht gabimet tona çdo javë. Nuk kam dëgjuar askënd të thotë ‘edhe ne kemi gabuar’. Do të mjaftonte ta bënin në 10% të rasteve që e bëjmë ne, sepse kështu bëhet vërtet e turpshme. Nëse duan të thonë se është gjithmonë faji i arbitrave të Rocchi-t, le ta thonë. Por mendoj se dikush duhet të bëjë edhe një analizë ndërgjegjeje, sidomos ata që zbresin në fushë”, shtoi ai.
Ndërkohë, sipas raportimit të La Gazzetta dello Sport, arbitri La Penna rrezikon një pezullim rreth një muaj nga ndeshjet. Nëse konfirmohet, gjyqtari romak mund të rikthehet të drejtojë në Serie A vetëm pas mesit të muajit mars.
KOHA JONË SONDAZH

