Shehi: Do japim maksimumin, nuk jemi dorëzuar për titullin!
Kukësi nuk është dorëzuar ende në garën për titull por ndeshja ndaj Bylisit është vendimtare për ecurinë e verilindorëve në kampionat. Trajneri Orges Shehi në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj mallakastriotëve, foli edhe për shortin e gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë.
“Përballja me Bylisin? E dimë që në këtë fazë të gjitha ndeshjet janë të vështira. Jemi në një fazë delikate dhe do kërkojmë të mos kemi asnjë hap fals, pasi nuk kemi kohë më pas për të rikuperuar. Është një ndeshje shumë e rëndësishme, ndaj një kundërshtari që në javët e fundit ka gjetur ritmin, por jemi të përgatitur për të marrë maksimumin.
Kupa? Në gjysmëfinale të gjithë skuadrat janë të vështira. Me Teutën do jetë një ndeshje shumë e vështirë, por para se të shkojmë atje ne duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës.
Titulli? Ne mendojmë që duhet të japim maksimumin për të bërë detyrën. Ne kemi bërë mirë në të gjitha ndeshjet, me përjashtim të asaj me Laçin, e cila duhet të na bëhet si shembull. Ne duhet të bëjmë detyrën tonë në kampionat dhe më pas të shohim se çfarë do të ndodhë.