Shehi: Do të jetë e vështirë ndaj Apolonisë, duam të rikthehemi atje ku na takon!

Orges Shehi do të debutojë nesër në stolin e Tiranës. Kalendari do ta vendosë përballë Apolonisë, që lufton për mbijetesë. Partizani e di mirë këtë gjë, por jo vetëm. Duke dashur të largojë çdolloj ndjenje nënvlerësimi për bardhjeshilët, Shehi nënvizoi në konferencën e sotme për shtyp.

“Ditët në dispozicion kanë qenë të pakta, por besoj se mjaftojnë për të shpjeguar dhe kërkuar atë që duam të bëjmë gjatë ndeshjes. Impenjimi i skuadrës ka qenë në maksimum. Kur vjen një trajner i ri, kërkon të implementojë atë që ai mendon.

Do të kemi në fushë edhe lojtarë të kthyer nga dëmtimi, pa dashur t’i rëndojmë. Ndaj Apolonisë është e vështirë. Nuk ka kundërshtar të lehtë, Apolonia iu ka marrë pikë edhe të fortëve. Kundërshtari është poshtë nesh në klasifikim, por Tirana synon të ngjitet në renditje dhe fitorja duhet për këtë.

Pak na ndan nga mbyllja e merkatos, ka interesim për Muçin, por asgjë konkrete. Ardhjet në merkato kanë kualitet, por do t’i shohim në vijim, duke i përshtatur me minutazhin e duhur, ngaqë nuk janë aktivizuar shumë. Nuk pres ardhje të tjera në merkato, këto ditë të fundit. Psikologjia është e rëndësishme. Kam biseduar edhe tek e tek me lojtarët dhe e kuptoj gjendjen e tyre. Ata mezi presin të rikthehen. Janë kampionë dhe duan të rikthehen aty ku iu takon”.

SHKARKO APP